Biblioteka Kombëtare ekspozon për herë të parë për publikun koleksionin e rrallë të veprave udhëpërshkruese të udhëtarëve francezë në Ballkan. Koleksioni që përfshin rreth 700 njësi bibliotekare, si antikuarë, harta, botime me karakter albano-balkanologjik, vjen i rrudhur për shkak të hapësirës së munguar.

“Për fat të keq për shkak të kushtet e Bibliotekës Kombëtare, ekspozojmë vetëm 300 libra nga 700 një pasuri e madhe që shpresojmë që vitin tjetër të bëjmë një ekspozitë më të zgjeruar. Nis me një vepër të rrallë të vitit 1555 që na çon në oborrin e Sulejmanit të Madhërishëm dhe vazhdon në mënyrë kronologjike shekull pas shekulli, nga shek.. 16, 17, 18, deri te emra të njohur si Pukëvil, etj”, tha Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Antikuaret që cilësohen si thesare për kulturën shqiptare vijnë në vazhdën e rrekjeve të bibliotekës për të treguar pasuritë e saja dhe pamundësitë e ruajtjes e ekspozimit, që prej vitesh artikulohet pa zgjidhje.

“Ju kërkojmë ndjese për mungesën e hapësirës. Një qëllim tjetër i ekspozitave si kjo është të ndihmojnë për një lexim krahasues të historisë sonë për t’ju larguar asaj mendësie të ngulitur nga historiografia komuniste që e shihte Shqipërinë si ishull të veçuar nga ndikimet e tjera”, tha ai.

Për udhëtarët francezë në Shqipëri ka literaturë nga Lumo Skëndo, Aurel Plasari, apo Luan Rama ndërsa në njësitë e ekspozuara përshkruhen Ballkani, Bullgaria, Kostandinopoja, Greqia e Shqipëria.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb