Presidenti amerikan Joe Biden ia hodhi fajin Rusisë për krizën globale ushqimore, duke e akuzuar vendin për “pompimin e gënjeshtrave” në lidhje me sanksionet perëndimore në mes të luftës së tij në Ukrainë.

“Rusia… po nxjerr gënjeshtra, duke u përpjekur të hedhë fajin për krizën – krizën ushqimore – mbi sanksionet e vendosura nga shumë në botë për agresionin kundër Ukrainës. Kështu që më lejoni të jem plotësisht i qartë për diçka: Sanksionet tona në mënyrë eksplicite i lejojnë, në mënyrë eksplicite i lejojnë, Rusisë mundësinë për të eksportuar ushqime dhe plehra. Nuk ka kufizim”, tha ai në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

“Është lufta e Rusisë ajo që po përkeqëson pasigurinë ushqimore dhe vetëm Rusia mund t’i japë fund”, shtoi Biden.

Biden lavdëroi OKB-në për ndihmën për të ndërmjetësuar një marrëveshje të eksportit të grurit me Ukrainën dhe Rusinë dhe ai inkurajoi zgjatjen e saj.

Biden tha se deri në 193 milionë njerëz në mbarë botën po përjetojnë pasiguri akute ushqimore, “një kërcim prej 40 milionë në një vit”.

Ai gjithashtu njoftoi 2.9 miliardë dollarë mbështetje nga SHBA për ndihmën humanitare dhe ushqimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb