Kosova dhe Serbia kanë përfunduar ditën e sotme edhe një raund bisedimesh, pa arritur përparime për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua më 1 shkurt në Kosovë.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha se propozimi i Prishtinës nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi.

“Ne e kemi paraqitur propozimin tonë, Prishtina ka paraqitur propozimin e saj. Propozimi ynë është i balancuar, merr parasysh interesat e popullit serb në Kosovë dhe është bërë në marrëveshje me ekspertët tanë. Në anën tjetër, kemi propozimin e Prishtinës, për të cilin nuk do të doja të flisja tani, mjafton të them se ana tjetër nuk bën as përpjekjen më të vogël që ajo letër mund të quhet propozim, që shkon në drejtimin e një zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviç.

“Kjo është ajo që më shqetëson shumë. Nuk e di se në cilin drejtim do të shkojë dialogu. Më shqetëson pozita dhe e ardhmja e popullit serb në Kosovë kur e shihni se nuk ka vullnet politik nga ana tjetër për të arritur një zgjidhje”, shtoi ai..

Kryenegociatori serb tha se Beogradi do të vazhdojë bisedimet për të arritur një zgjidhje për këtë çështje, teksa paralajmëroi takimin e radhës për prill.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb