Tregu i kriptomonedhave po përjeton një tjetër valë rënieje, me Bitcoin-in që ka zbritur nën 59 mijë dollarë, duke humbur ndjeshëm vlerë gjatë ditëve të fundit. Në të njëjtën linjë është edhe Ether-i, kriptomonedha e dytë më e madhe në botë, ndërsa në bursat amerikane kanë shënuar rënie edhe aksionet e kompanive të mëdha të teknologjisë.

Sipas Reuters, Bitcoin-i ra fillimisht nën nivelin e 60 mijë dollarëve, për herë të parë që nga korriku i këtij viti. Në momentin e raportimit, ai tregtohej me 58.501 dollarë, duke regjistruar një humbje ditore prej 3.65 për qind.

Ndërkohë, Ether-i pësoi një rënie edhe më të fortë, duke humbur 5.42 për qind të vlerës dhe duke zbritur në 1.593,89 dollarë.

Sipas CoinDesk, rënia e fundit ka fshirë të gjitha fitimet që Bitcoin-i kishte regjistruar gjatë muajve gusht dhe shtator, kur vlera e tij ishte ngjitur deri në 87 mijë dollarë.

Kriptomonedha më e madhe në botë po i afrohet gjithashtu nivelit më të ulët të regjistruar këtë vit, rreth 57.700 dollarë, të cilin e kishte prekur gjatë verës. Aktualisht, e ndajnë më pak se 2 për qind nga ky nivel.

Tendenca negative ka përfshirë edhe kriptomonedhat e tjera kryesore. XRP, Solana dhe BNB kanë humbur nga 5 deri në 6 për qind të vlerës, ndërsa HYPE ka shënuar rënie prej 8 për qind. Humbjen më të madhe ndër monedhat e përmendura e ka regjistruar Zcash, me një rënie prej 14 për qind.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb