NGA: OLA MITRE*
Bizneseve që gjobiten tri herë brenda një periudhe të shkurtër kohore për shkeljen e ligjit antiduhan do t’u pezullohet licenca”. Deklarata vjen nga kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Eltar Deda, i cili përmes një prononcimi dhënë për “Gazeta Shqiptare” bën me dije se pas ndryshimeve të vitit 2014, ligji “Për mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit” pritet të pësojë sërish ndryshime. Kjo, pasi është vënë re që një sërë subjektesh, ndonëse gjobiten vazhdimisht janë të prirur të paguajnë gjobat dhe të lejojnë pirjen e duhanin në ambientet e brendshme të biznesit.

“Ne po mendojmë të ndryshojmë ligjin dhe për bizneset që gjobiten disa herë brenda një periudhe shumë të shkurtër, do t’u pezullohet aktiviteti nga 10 ditë deri në 60 ditë. Me ndryshimet ligjore do ta kemi ne si inspektorat të drejtën për ta bërë këtë gjë. Kush merr gjobën e tretë brenda një afati 1 ose 2-mujor, menjëherë do të marrim masë për pezullim”, u shpreh Deda. Gjithashtu, ai bëri me dije se aktualisht është duke u verifikuar nëse këto ndryshime kanë përputhshmëri nga ana ligjore e më pas do të vijohet me propozimin e projektligjit në qeveri. “Aktualisht jemi duke pritur miratimin nga Ministria e Drejtësisë, sepse është duke u parë përputhshmëria e ligjshmërisë. Me të kthyer përgjigjen, ne do e përgatisim si projekt dhe do e çojmë në qeveri për amendim”, deklaroi kryeinspektori i ISHSH-së.

GJOBAT
Për herë të parë, me ndryshimet që pësoi ligji “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit” në vitin 2014 u parashikuan gjoba edhe për duhanpirësit. Masa e gjobës është 5000 lekë të reja, ndërkohë që objekt i gjobitjes janë edhe administratorët e lokaleve. Sipas ndryshimeve, shkelja e nenit të ri ku përcaktoheshin mjediset ku ndalohet pirja e duhanit, parashikon gjobitjen e subjekteve të tatueshëm me 300 000 lekë, 50 000 lekë gjobë për personin përgjegjës në institucionet publike si dhe 50 000 lekë për administratorin në banesat me bashkëpronësi të detyrueshme.

Po ashtu, ligji i ri përcaktonte se pronari ose administratori i mjediseve ku ndalohet duhani është personi përgjegjës për vendosjen në një vend të dukshëm të listës së trupave inspektuese për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, të shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit në këto mjedise. Shkelja e këtij neni dënohet me 300 000 lekë gjobë për subjektin e tatueshëm dhe 50 000 lekë gjobë për administratorin apo personin e caktuar përgjegjës.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: