Nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka ngritur kambanë alarmi për sektorin e fasonerisë, ku shprehet se është në rrezik falimentimi total.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Xhixho shkruan se kjo është kambana e fundit e alarmit për një ekonomi të drejtuar nga paraja e krimit dhe korrupsionit.
Më tej ajo shprehet se kriza e çmimeve, rënia e euros dhe mbiçmimi artificial i lekut po detyrojnë dhjetëra sipërmarrës të mbyllin aktivitetet e tyre, duke lënë pa punë gra e vajza në Tiranë dhe qytetet e tjera.
Postimi i plotë:
Biznesi fason rrezikon falimentimin total.
Biznesi fason vijon të tkurret me ritme të frikshme, rasti i radhës është Korça me 550 persona të papunë.
Kriza e çmimeve, rënia e euros dhe mbiçmimi artificial i lekut po detyrojnë dhjetëra sipërmarrës të mbyllin aktivitetet e tyre, duke lënë pa punë gra e vajza në Tiranë dhe qytetet e tjera.
Vetëm në javën e fundit, në të gjithë Shqipërinë janë shkurtuar 1 200 vende pune.
Me këtë ritëm do të kemi humbur gati 25 mijë vende pune deri në verë
Kostoja e mbylljes së këtyre biznesve do të jetë tepër e lartë për mijëra familje, të cilat nuk kanë burim tjetër të ardhurash
Ky biznes punëson rreth 75 mijë njerëz, kryesisht gra dhe vajza. Shkurtimi i vendeve të punës do të përkeqësojë situatën ekonomike të gruas, sidomos në rrethe, ku mundësitë janë të kufizuara.
Të pambështetur nga qeveria, fasonët dhe eksportuesit janë para zgjedhjes së vështirë : të largohen nga vendi ose të ulin qepenat.
Kriza e fasonëve është kambana e fundit e alarmit për një ekonomi të drejtuar nga paraja e krimit dhe korrupsionit.
Ajo provon edhe njëherë se biznesi i ndershëm e që paguan taksa i paguan i pari pasojat e krizës dhe të keqqevrisjes. E bashkë me të, fatkeqësisht edhe mijëra qytetarë që humbin punën me të cilën ushqehen.