Ditën e djeshme biznesi ka kundërshtuar Pakketën Fiskale të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, duke paralajmëruar se rritja e taksave do të rëndojë sipërmarrjet, do të shtojë presionin mbi çmimet dhe do të ndikojë te investimet dhe punësimi. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ProEksport Albania dhe Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë kërkojnë konsultime me qeverinë përpara miratimit të ndryshimeve.

Nga ana tjetër, Rama në një mesazh me të cilin i është drejtuar sot qytetarëve, ka dhënë detaje nga kjo paketë, duke njoftuar ndryshime në taksimin e produkteve bazë, biznesit dhe automjeteve.

Sipas Ramës, buxheti i vitit të ardhshëm do të kalojë për herë të parë pragun e 10 miliardë eurove, ndërsa borxhi publik, sipas tij, ka zbritur në një nivel historikisht të ulët.

Duke folur për masat e reja, kreu i qeverisë tha se ato synojnë lehtësimin e barrës fiskale dhe mbështetjen e ekonomisë, ndërsa theksoi se Shqipëria ka krijuar mundësitë për të ndërmarrë ndryshime të tilla falë rritjes ekonomike.

“Vetëm tri ditë më parë ju thashë se pas paketës për dhunën do t’ju bëja të ditura masat për lehtësimin e masave në nevojë. Në kuadër të buxhetit 2027, për herë të parë kalohet pragu i 10 miliardë eurove. Kjo shifër mjafton t’u thotë të gjithë atyre që duan të mbulojnë dritën e progresit me shoshën e xhelozisë, se Shqipëria rritet. Borxhi publik ka rënë gjithashtu në një prag të poshtëm historik”, deklaroi Rama.

Një nga ndryshimet kryesore të njoftuara lidhet me TVSH-në për produktet ushqimore bazë. Rama bëri të ditur se qeveria planifikon uljen e normës së TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte, mes të cilave mishi, peshku, qumështi, makaronat dhe ushqimet bazë për foshnjat. Sipas kryeministrit, kjo masë do të synojë të lërë më shumë para në dispozicion të qytetarëve. Ai pretendoi se përmes këtij ndryshimi do të mbeten në arkën e shqiptarëve rreth 150 milionë euro në vit, të cilat më parë përfundonin në arkën e shtetit.

Sa i përket biznesit, Rama deklaroi se norma e tatim-fitimit për sipërmarrjet do të mbetet në 15%, ndërsa taksa zero mbi fitimin për biznesin e vogël do të vijojë të jetë në fuqi deri në vitin 2029. Ndryshime parashikohen edhe për tatimin mbi dividendin. Sipas Ramës, norma për biznesmenët e mëdhenj do të rritet nga 8% në 15%, ndërsa qeveria synon të ulë barrën tatimore në fusha të tjera.

Një tjetër masë e njoftuar lidhet me taksën e qarkullimit të përfshirë në çmimin e naftës. Kryeministri bëri të ditur se qeveria planifikon ta heqë këtë taksë nga çmimi në pompë, çka sipas tij do të sjellë një ulje prej 32 lekësh për litër.

Në vend të mbledhjes së saj përmes çmimit të karburantit, taksa do të vendoset mbi automjetet dhe do të mblidhet nga drejtoria përkatëse. Rama bëri të ditur gjithashtu se parashikohet taksim për automjetet e huaja që hyjnë në territorin shqiptar.

Gjatë fjalës së tij Rama ishte i ashpër në fjalët drejtuar protestuesve që prej muajsh kërkojnë largimin e tij nga detyra dhe ndryshimin e klasës politike në vend.

Ai i ka quajtur të rinjtë dhe studentët si turmë dhunuese, duke shtuar se në të janë bashkuar parti politike dhe të huaj. Rama është treguar gjithashtu i prerë se pavarësisht kërkesave të qytetarëve, do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në ditën e fundit të “kontratës” së tij me shqiptarët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb