Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat, deklaroi se TVSH e ushqimeve dhe e shportës duhet të ulet nga 20 përqind në 5 përqind. Blushi theksoi se kjo do të ishte ndihmë konkrete për qytetarët dhe sidomos pensionistët.

Sipas Blushit, Rama premtoi se do të ulte TVSH-në për ushqimet e shportës më 2013, por vetëm mashtroi qytetarët shqiptarë.

Postimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi:

Heqja e plotë  apo zerimi i TVSH-së për ushqimet e shportës bazë ishte një nga premtimet më të bujshme të Edi Ramës në vitin 2013, por që pas 11 vitesh rezulton një nga mashtrimet më të mëdha dhe më të pabesa të “Rilindjes” për shkak se qytetarët dhe në veçanti pensionistët paguajnë sot në vendin më të varfër ushqimet më të shtrenjta në të gjithë Europën.

Edi Rama u premtoi shqiptarëve heqjen e taksës 20% për ushqimet bazë dhe për 11 vite me radhë për çdo vit vetëm rriti çmimet e produkteve të shportës, rriti taksat dhe tarifat për qytetarët dhe për pensionistët. Në vend të hiqte 20% TVSH për shportën, ai  hoqi TVSH-në 20% për importin e jahteve, sepse prioriteti i tij nuk janë qytetarët por oligarkët.

Sot rreth 700 mijë pensionistë shqiptarë, në qytet dhe fshat, shpenzojnë gati 60 % të pensionit për t’u ushqyer. Është fakt se për të blerë ushqimet më bazike, një pensionist shqiptar paguan 10% më shtrenjtë se në Itali, ku pensioni minimal është të paktën 4 herë më i lartë. Kosto e jetesës për një pensionist është bërë e papërballueshme!

Kjo ndodh sepse Qeveria ka zero vëmendje për këtë shtresë dhe zemërgjerësi pa fund për oligarkët. Nëse detyrimin tatimor oligarkët klientelistë e kanë 6%, për ushqimet e shportës pensionistët paguajnë TVSH 20%!

Kjo është fytyra e kësaj Qeverie që plaçkit shqiptarët që luftojnë për bukën e gojës dhe ju bën favore investorëve miliarderë, që ndërtojnë kulla, palate dhe resorte, e madje ju falet edhe toka publike me 1 euro m2.

Ushqimet e shportës janë mbijetesa e qytetarëve dhe pensionistëve! Në këto momente kaq të vështira për ekonominë e familjeve shqiptare, ku qindra mijëra pensionistë përballen me mbijetesën ushqimore, Partia e Lirisë propozon që masa më e parë dhe më e domosdoshme është ulja drastike e TVSH për ushqimet e shportës, nga 20% që është aktualisht në 5%.

Mjerimi i qytetarëve dhe në veçanti i pensionistëve është fakt kaq i dhembshëm sa kërkon zgjidhje të menjëhershme. Përkushtimi i Partisë së Lirisë ndaj pensionistëve është madhor dhe programor.

Ne do të imponojmë me çdo çmim një sjellje tjetër ndaj moshës së tretë, sepse ata janë njerëzit që kanë kontribuar kaq shumë për këtë vend dhe që meritojnë një trajtim dinjitoz.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb