Një zhurmë e fortë, si shpërthim u dëgjua sot në Tiranë dhe jo vetëm. Interesit të madh të publikut dhe mediave, nuk mundi t’u përgjigjej dot as policia. Disa jepnin versionin e zhurmës së avionëve. Ndërsa grupet e policisë kërkonin të dhëna, bomba plasi në rrjetet sociale. Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit, publikoi në Twitter vendimin për të shpallur non grata në SHBA, Sali Berishën dhe familjen e tij.

Një vendim drithërues për nga pesha, kur bëhet fjalë për një ish-President dhe ish-Kryeministër, një deputet në parlamentin e ri që është pika e referimit të Partisë Demokratike. Duke lexuar dhe rilexuar për ta besuar goditjen më të fortë që SHBA ka bërë në politikën shqiptare, kuptohet se në shpjegimin që Blinken i bën vendimit, nuk mund të hiqet asnjë presje. “Në cilësinë e tij, si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në shpenzimet e besimit të publikut shqiptar në institucionet e tyre qeveritare dhe zyrtarët publikë. Për më tepër, retorika e tij tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura, përpjekjeve për dhe marrje të përgjegjësisë. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”.

Këto akuza nuk janë të reja, nuk janë as të Edi Ramës. Janë akuza që media ia ka bërë Sali Berishës kur ishte Kryeministër, janë akuza për të cilat ajo pjesë joklienteliste e medias, kërkonte largimin e tij sa më parë, duke u reshtuar në frontin opozitar. Vecanërisht me Gërdecin dhe më pas me 21 janarin, ku jo vetëm u vranë njerëz, por edhe u tallën. Ku drejtësia nuk u bë dhe akoma familjarët e viktimave kanë shpresë dyerve të SPAK.

Edi Rama i përdori këro akuza, për 8 vjet, duke e konsideruar Sali Berishën, ashtu si Fatos Nano deri në 2005, si pasurinë politike më të madhe.

Me gogolin e Berishës, Fatos Nano mbajti në pushtet partinë e tij deri në 2005, me gogolin e Berishës, Edi Rama fitoi mandatin e tretë. Ndëshkimin e Berishës nga Drejtësia, largimin e tij nga politika, më pak se kushdo do ta dëshironte ai që e përdori si gogol. Ndëshkimi politik apo ligjor dukej i pamundur, përsa kohë prezenca e tij në PD jepte përfitime tek kundërshtarët. Me këtë lojë të përdorimit si gogol me kushtin që të mos ndëshkohej politikisht dhe juridikisht, duket se kishte rëndë dakord në heshtje edhe Berisha.

Vendimi i Departamentit të Shtetit, e ndali lojën dhe dha një mesazh për të gjithë. I pari për shoqërinë, që prej 30 vjetësh ka qenë e paaftë të largojë qoftë edhe një nga politikanët e tranzicionit. Të parin Sali Berishën. Elita politike shqiptare, si askund në Europë apo edhe Ballkan, donimohet nga politikanët e vitit 1990, që kanë patur detyrat më të larta dhe janë përgjegjësit më të mëdhenj për mjerimin dhe mungesën totale të Shtetit.

Përderisa shoqëria nuk po e bënte, përderisa drejtësia nuk po ndëshkonte, përderisa politika po e impononte, një aleat strategjik si SHBA, vendosi t’i japë fund stanjacionit.

Është mesazh për Partinë Demorkatike, që nuk po mundet të ndahet nga e kaluara, nga oferta e së shkuarës që dha edhe këto zgjedhje. Për Bashën që duhet ta kishte vrarë politikisht babain dhe dilte pa sfondin e Berishës që i vizatoi me kujdes Edi Rama në fushatë.

Në këtë moment kaq të vështirë për Bashën, në mesin e fushatës për zgjedhjen e Kryetarit, i duhet të zgjedhë, nëse do të mbajë Berishën për të siguruar kreun e opozitës së përjetshme, apo do të bëjë aktin e vrasjes së babait dhe të sjellë një ofertë të re.

Është mesazh për Ilir Metën, që prej 30 vjetësh në politikë, i ka provuar të gjitha, ka përgjegjësitë më të larta dhe vazhdon të ofrohet si alternativë e re, duke e futur edhe institucionin e Presidencës në përplasje me SHBA.

Është mesazh për Edi Ramën dhe klikën e tij abuzuese, se, nëse sot i shpëtojnë Drejtësisë për shkak të kontrollit dhe presionit mbi të, nesër nuk do të munden. Kur koha e Drejtësisë të mbarojë, dikush do të mendojë për ta zënë vendin e saj, nëse jo shoqëria, nëse jo politika, atëherë SHBA.

Rekordet e abuzimeve që i takojnë qeverisë së Rilindjes, nuk mund të kalojnë pa u ndëshkuar, vetëm se kontrollojnë sot të gjithë pushtetet. Më dhënien e këtyre mesazheve, SHBA i dhanë përgjigjen edhe pyetjes më të vështirë që lindi në 27 prill, pasi njohën fitoren e Ramës, ende pa mbaruar numërimi: Pse nxituan të legjitimojnë masakrën elektorale të Edi Ramës? Arsyeja paska qenë ky projekt, që mesa duket do të vazhdojë. Mes krimit që në aleancë me policinë, prokurorinë dhe partinë bleu zgjedhjet dhe politikanëve të inkriminuar që e mbajnë Edi Ramën të ri në politikë, SHBA kanë zgjedhur të parët.

Mesa duket pas dështimit të të gjitha mjeteve, tashmë u bë e qartë që, shprehja “peshku qelbet nga koka”, nuk mund të bënte përjashtim në Shqipëri. “SHBA bëjnë gjithmonë gjënë e duhur, pasi provojnë gjithë të tjerat”, thoshte Curchill./Dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb