Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u takua të premten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Paris, ku po mbahet Forumi i Paqes. Në këto dy takime ishte i pranishëm edhe Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Në takimet me liderët nga Prishtina dhe Beogradi, përfaqësuesit e BE-së diskutuan për dialogun Kosovë – Serbi, gjendjen aktuale në veri të Kosovës, si dhe planin franko-gjerman si propozim për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve. Të premten pasdite, në takim me Borrellin dhe Lajçakun, Vuçiqi tha se diskutoi për situatën aktuale në Kosovë, rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe harmonizimit të politikave të jashtme të Serbisë me ato të BE-së.

“Unë e theksova se është e rëndësisë së veçantë që institucionet evropiane dhe vendet anëtare të BE-së të mbajnë qëndrim të prerë se Prishtina duhet të nisë përfundimisht t’i kryejë obligimet e veta, që, pikë së pari, kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi Vuçiqi në Instagram.

Ai shtoi se Prishtina do ta dëshmonte kështu përkushtimin për vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur të hapura.

“Ne u pajtuam që është e nevojshme të ulen të gjitha tensionet, të qetësohet situata dhe të zgjidhen problemet në mënyrë të arsyeshme, siç insiston gjithmonë Serbia”, tha presidenti serb. Më herët të premten, me përfaqësuesit e BE-së kishte mbajtur takim edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Të pranishëm ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe këshilltarët e kryeministrit, Jeton Zulfaj dhe Fisnik Korenica.

Pas takimit, Kurti tha se nuk duhet të humbet fokusi nga marrëveshja finale shkaku i problemeve të fundit. “Ne nuk duhet t’i vonojmë bisedimet për marrëveshjen ligjërisht të obligueshme, ndërkohë që i adresojmë çështjet aktuale”, shkroi Kurti në Twitter.

Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, gjatë këtij takimi, Kurti “theksoi elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër” dhe e cilësoi propozimin franko-gjerman si “bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”. “Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet gjithashtu në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha të enjten se këto takime janë “tentime për të ndihmuar në zbutjen e përshkallëzimit të situatës, qetësimin e tensioneve aktuale dhe avancimin e dialogut të Brukselit”.

Të premten në Paris Borrelli takohet ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e kishte konfirmuar më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që raportohet se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se Vuçiqi po i përdorte pjesëtarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman. Kriza në veri të Kosovës, ku pjesëtarë të komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga institucionet kosovare, pasoi nisjen e zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, më 1 nëntor.

Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës dhe nuk ka pranuar të shtyjë datën e nisjes të zbatimit, me gjithë insistimin e komunitetit ndërkombëtar. Kurti dhe Vuçiçi ndodhen në Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes. Atje janë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Gjatë së enjtes, Kurti dhe Osmani u takuan me kryeministrin francez, Emmanuel Macron. Në komunikatën e përbashkët të lëshuar nga Presidenca dhe Qeveria e Kosovës, u tha se ishte diskutuar edhe për planin franko-gjerman.

“Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”, thuhej në komunikatë.

Osmani dhe Kurti pas takimit me Macron: Propozimi franko-gjerman bazë e mirë për diskutime

Ndërsa, në takimin e së enjtes me presidentin Macron, Vuçiqi tha se i ka treguar homologut të tij francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, ndërsa iu referua edhe çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët nënshkruan Marrëveshjen mbi parimet për formimin e këtij asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni një etnik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: