Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të mos përdorin medikamente pa rekomandimin e mjekëve.

Në një lidhje me “Skype” për News24, Brataj deklaroi se nëse organet e njeriut mbingarkohen me medikamente, ato dëmtohen. Sa i përket vaksinës anti-Covid, Brataj deklaroi se atë do ta marrin të parët ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese.

“Është gjithë bota në pritje dhe në interpretim të gjërave, por të mos harrojmë lajmet e mira për vaksinimin. Mos të harrojmë që virulenca e virusit nuk është rritur, që është gjëja më kryesore, minimumi nuk ka ndryshuar. Vazhdon 80% e njerëzve të jenë asimptomatikë dhe me forma të lehta. Vdekshmëria nga 4% që ishte, është 2.1%. Tani po informojmë njerëzit që të mos masakrohen me medikamente kot. Organet mbingarkohen dhe dëmtohen nga vetë medikamentet. Shpresojmë që dhe vaksina të vij, pasi për fat të mirë jemi në grupin Covax. Ka një plan strategjik, një rregullore, si bëhen vaksinat.

E mira është që vaksina të bëhet sipas rregullit. Çdo person me sëmundje shoqëruese do ta bëjë i pari vaksinën. Nuk do të bëhet me moshë, kush kalon 50 vjeç, jo! Do të bëhet kush ka më shumë rrezik, si moshat e treta dhe ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese. Nuk ka sens të bëjë vaksinën ai që ka kaluar Covidin, sepse i ka krijuar antitrupat. Është e njëjta gjë si gripi. Nëse kjo pandemi do të bllokohet në fund të sezonit të saj, me apo pa vaksinë, nuk ka nevojë ta bëjmë vaksinën, por nëse ajo do të përsëritet, ka sens të bëhet”, deklaroi Brataj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb