Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares sonë dhe ish-trajneri i Kukësit dhe së fundmi Feronikelit, Klodian Duro, i bën një analizë Superiores dhe ekipit përfaqësues.

Për “Panorama Sport”, Duro foli për situatën te Partizani, largimin e Ilir Dajës, ecurinë e skuadrave të tjera, por edhe pa harruar mungesën e një sulmuesi kalibri në kampionatin shqiptar gjatë viteve të fundit.

Si një ish-lojtar i Kombëtares, si mund të na e përshkruani vitin 2021 për ekipin përfaqësues?

Në përgjithësi, ka qenë një vit i suksesshëm. Normalisht nga ndeshja në ndeshje, ishim edhe shumë afër vendit të dytë në eliminatoret e fundit. Por, në futboll kështu është, gjithë forca e ekipit ishte ajo që e vendosi edhe Poloninë në ato pozita.

Me pak fat dhe ndoshta me një strategji pak më ndryshe, mund ta kishim kapur vendin e dytë. Ka qenë një vit me ecuri të mirë, si në aspektin e ekipit po ashtu edhe në rritjen e lojtarëve të rinj, që kanë arritur të tregojnë edhe ata veten e tyre.

Zhgënjimi me Poloninë dhe më pas me Anglinë lanë një shije të hidhur?

Si fillim, humbja me Poloninë dhe pastaj me Anglinë, që më shumë do ta quaja si një moment të keq psikologjik, sepse të gjitha bateritë, fokusi i të gjithë lojtarëve, stafit dhe ambientit futbollistik ishte te ndeshja me Poloninë dhe më vonë e pamë që ajo humbje la gjurmë psikologjike, që u transmetua në pjesën e parë me Anglinë. Normalisht që nuk la një shije të mirë, por me ato që bëri ekipi kombëtar këtë vit, të gjithë duhet të jenë të kënaqur.

Po problemet e Edi Rejës me Armando Brojën si i komentoni?

Gjithmonë aty ku punohet do të dalin edhe probleme. Unë e shikoj në aspektin pozitiv, problemet e tilla sjellin zhvillim dhe e çojnë ekipin përpara. Normalisht që Broja është një lojtar i ri, me kapacitet shumë të madh, por që ka ende shumë gjëra përpara për të përmirësuar.

Pavarësisht se ne si shqiptarë na pëlqen një lojtar që bën diferencën, me driblimet e tij dhe aq më tepër me golat e tij, por duhet edhe të jemi me këmbë në tokë. Nga ana tjetër, Reja është një trajner me eksperiencë dhe mendoj se në atë filozofinë e tij kërkon më tepër rritjen në aspektin e ekipit, që çdo individ duhet të futet në brendësi të skuadrës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb