TIRANË- Banka e Shqipërisë do të vijojë edhe gjatë vitit 2016 që të ulë më tej normën e interesit të lekut, me qëllim stimulimin e kreditimit dhe rigjallërimin e konsumit në vend.

Në Raportin Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2015, cilësohet se, për të adresuar presionet e ulëta inflacioniste, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të ndjekë një politikë monetare stimuluese. Ajo ka ulur më tej normën bazë të interesit, ka rritur injektimet e likuiditetit në sistemin bankar, si dhe është angazhuar publikisht për ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare edhe në periudhën afatmesme.

Norma bazë e interesit zbriti në minimumin historik prej 1.75% në fund të vitit 2015. Ndërsa politika monetare lehtësuese për të nxitur ekonominë do të jetë model edhe në 2016.

Këto vendime, sipas BSH-së, kanë synuar dhe do të krijojnë kushte të duhura për nxitjen e kërkesës së brendshme dhe për kthimin e inflacionit në objektiv në afat të mesëm. Politika monetare është transmetuar në uljen e normave të interesit për të gjitha instrumentet financiare në lekë, gjë e cila pritet të vijojë edhe përgjatë vitit 2016.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb