Më 10 nëntor 2020, në orën 15:00, do të mbahet paraqitja e parë e Kadri Veselit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza kundër Kadri Veselit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor 2020 dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

“Aktakuza e ngarkon Kadri Veselin me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializura.

“Paraqitja e parë e Kadri Veselit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij”, bëhet e ditur në njoftim.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër. Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak”.

Ndërkohë, Dhomat e Specializuara kanë bërë me dije se Rexhep Selimi do të dalë të mërkurën e 11 nëntorit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb