Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se ndihmat po shpërndajen me korrektësi te të gjithë familjet në nevojë dhe pensionistët.

Në një lidhje me “Skype” në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, ministrja theksoi se mijëra punonjës janë në terren dhe çdo ndihmë ndahet me verfikim.

Më tej, ajo foli dhe për temat kryesore të diskutimit gjatë Ministerialit të Mbrojtjes të NATO-s, që u zhvillua online, duke thënë se Ministeriali i qershorit, që do të mbahej në Tiranë, nuk do të zhvillohet në këtë muaj, për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi.

Pjesë nga intervista:
Pyetje: A ka pas raste kur shpërndarja e ndihmave është bërë në mënyrë subjective?
Xhaçka: Jo. Kemi një mbikëqyrje shumë të imtësishme të këtij procesi. Po të qëndrosh në shtëpi dhe t’i shohësh gjërat nga divani jam e bindur se gjërat nuk duken sic janë. Për hir të së vërtetës, opozita nuk po jep sot një dorë për të ndihmuar këta njerëz. Sot në territor janë mijëra punonjës shteti, të ushtrisë, të bashkive, prefekturave, por edhe vullnetarë, që janë pjesë e këtij procesi. Ka një VKM që e definon se si bëhet shpërndarja e ndihmave dhe kush përfiton. Çdo ndihmë që shkon, raportohet, verifikohet dhe është plotësisht e verifikueshme. Për fat të keq, ka një keqdashësi, ligësi, nga ana e opozitës për ta bërë pis këtë proces, që po bëhet me shumë përkushtim nga mijëra njerëz, që kanë lënë familjet e tyre në shtëpi dhe rrezikojnë shtëndetin për t’iu ardhur në ndihmë të tjerëve. Nga kjo përfitojnë pensioninstët, jo pako, por asistencë, barna të rimbursueshme dhe kërkesa të tjera që mund të kenë. 470 mijë pensionistë kanë marrë në secilin prej mujave Mars e Prill pensionin në shtëpi. 179 mijë familje/individë kanë marrë pako ushqimore falas. 49 mijë familje/individë kanë marrë medikamentet në shtëpi. 101 mijë familje/individë kanë marrë shërbime të tjera. Pra, çdo njeri që sot ndihmohet është i evidentuar.

Pyetje: Ministeriali i Mbrojtjes i NATO-s, që u mbajt online, cili ishte fokusi i tij?
Xhaçka: Fokusi ishte diskutimi mbi këtë situatë të re, që kërkon dhe strategji të reja nga aleanca. Është e paparashikuar deri më tani. Bota nuk do të jetë e njëjtë pas kësaj pandemie, ndaj dhe nevojitet që edhe aleanca të përgatitet për t’i bërë ballë.

Pyetje: Kështu do të mbahet edhe i qershorit, që do të mbahej në Tiranë?
Xhaçka: Do të mbahet patjetër, por do të mbahet në një moment të dytë. Për fat të keq qershori nuk është opsion, pasi të gjitha vendet kanë zgjatur gjendjen e fatkeqësisë. Diskutuam gjerësisht për çfarë duhet të bëjnë vendet. Shqipëria u përgëzua për mënyrën si e ka përballuar situatën. Aleanca po bën maksimumin në marrëdhëniet bilaterale. Është një pandemi që ka ëpërfshirë të gjitha vendet dhe nuk është e lehtë që aleanca të koordinojë përgjigjen ndaj të gjitha kërkesave që kanë bërë vendet, por është e rëndësishme që të gjitha vendet të forcojnë emergjencat civile për t’i bërë ballë situatës. Nevojitet shumë solidaritet, që të jemi të gjithë bashkë, dhe për këtë është diskutuar gjerësisht. Aleanca ka marrë masa për të mos cenuar posturën e vet të deterencës dhe të mbrojtjes. Të gjitha operacionet vazhdojnë të paprekura dhe të pashkurtuara, duke marrë masa.

Pyetje: A preken projekte si baza ushtarake e NATO-s në Kuçovë?
Xhaçka: Këto projekte nuk preken mund të kemi një pengesë për shkak të vështirësimit të të gjithë komunikimeve zgjatje të procedurave po asgjë nuk anulohet as program për bazën e NATO-s.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb