Kryetari i parlamentit iranian dhe kreu i ekipit negociator me Uashingtonin, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se bllokada detare amerikane dhe veprimet ushtarake në rajon përbëjnë, sipas tij, shkelje të qarta të armëpushimit dhe dëshmi të dështimit të SHBA-së për të respektuar marrëveshjet. Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, ai paralajmëroi se “çdo zgjedhje ka çmimin e vet dhe fatura vjen në fund”, duke lënë të kuptohet për pasoja të mëtejshme nëse situata vazhdon të përshkallëzohet.

Në të njëjtën kohë, situata në rajon mbetet e tensionuar pas urdhrit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për goditjen e objektivave në periferitë jugore të Bejrutit, zonë e konsideruar bastion i Hezbollah. Sipas autoriteteve izraelite, sulmet janë përgjigje ndaj shkeljeve të përsëritura të armëpushimit dhe sulmeve ndaj civilëve izraelitë.

Nga ana tjetër, Teherani ka përsëritur qëndrimin se një armëpushim në Liban është kusht themelor për çdo marrëveshje të mundshme me Shtetet e Bashkuara për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, ka theksuar se procesi diplomatik po zhvillohet në një klimë mosbesimi dhe deklaratash kontradiktore nga pala amerikane.

Diplomacia iraniane ka akuzuar gjithashtu Uashingtonin për shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, pas sulmeve ajrore amerikane në territorin iranian që kanë sjellë edhe kundërpërgjigje ushtarake. “Ne nuk do të hezitojmë të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare,” ka deklaruar zyrtari iranian, duke shtuar se negociatat po vështirësohen për shkak të mungesës së besimit mes palëve. Teherani këmbëngul se çdo marrëveshje e ardhshme duhet të përfshijë ndalimin e luftimeve në Liban, ku operacionet ushtarake izraelite kundër Hezbollahut janë intensifikuar ndjeshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: