Çeki- Gjatë punimeve të Forumit të katërt me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit që po zhvillohet në Pragë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ka takuar Presidentin e Parlamentit të Norvegjisë Olemic Thommessen.

Gjatë këtij takimi Meta vlerësoi marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, veçanërisht në drejtim të fushës së investimeve dhe shprehu vullnetin për ngritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërparlamentare në një stad të ri.
“Norvegjia është një vend me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe një model i zhvillimit demokratik dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë përfaqëson një partner te rëndësishëm bashkëpunimi për shqiptarët, si dhe për të gjithë rajonin ku mbështetja norvegjeze vlerësohet maksimalisht”, është shprehur Meta.

Presidenti i Parlamentit të Norvegjisë, Olemic Thommessen shprehu gjithashtu vullnetin për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndau bindjen se bashkëpunimi mes dy parlamenteve do t’i shërbejë intensifikimit të tyre, veçanërisht në një Evrope ku solidariteti dhe bashkëpunimi janë më të nevojshme se kurrë. Në përfundim Meta e ftoi Thommessen për një vizitë zyrtare në Tiranë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga pala norvegjeze.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: