TIRANË

Nëse banesa apo objekti është shpallur i pabanueshëm nuk duhet të qëndroni brenda tyre edhe kur nuk ka lëkundje, por nëse nuk ka asnjë problem nuk duhet të dilni nga banesa. Kjo është këshilla e inxhinieres Luljeta Bozo, e cila e ftuar në News24, në rubrikën “Opinion”, tha se duhet punuar për riparimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit që këto dëmtime të mos shkojnë më tej.

“Pasgoditjet që do vijnë për mua dhe specialistët e kësaj fushe, do vijnë duke u shuar. Në një tërmet tjetër të radhës që do një periudhë kohore të vijë, 40-45 vite, pasgoditje kanë fuqinë vetëm të çojnë më tej dëmtimet që kanë ndodhur. Këto që janë të pabanueshme, duhet patjetër të hiqen, t’i vënë dinamitin dhe të bëjnë të reja. Ato që janë me dëmtime të rënda por të riparueshme duhet patjetër të riparohen sa më shpejt. Duhet punuar me një ritëm më të fortë, me një organizim shumë të mirë. Nuk i kemi lekët për të gjitha, por duhet të vendosim që me këto lekë do bëjmë këto gjëra, këtë të parin që ka rrezik të shembet.
Në tërmetin e ‘79, pasgoditjet shkuan 6 muaj. Pasgoditjet janë të shkurtra. Nuk i dimë të gjitha tekat e tokës. Na ka lënë shumë gjëra të fshehura”, tha Bozo.

Ajo tha se qytetarët duhet të bazohen vetëm në informacionin që përcjellin instancat përkatëse që kanë dhe pajisjet e duhura.
“Meqenëse tërmeti është një veprim shumë i shpejtë, disa sekonda, i datës 26 ishte shumë i gjatë, për disa sekonda rri aty ku je e mos lëviz fare, nëse shtëpia jote s’ka pasur gjë. Fuqia e pasgoditjes do jetë gjithmonë më e vogël se e goditjes kryesore. Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, pasgoditja e parë ishte afër 6, më pas u ul. Një këshillë për njerëzit, dëgjoni vetëm instancat që kanë pajisje për të llogaritur tërmetet. Shpresoj të jenë të qetë njerëzit. Dhe mbrëmë iu thashë shkoni flini nëpër shtëpia sepse nuk ishte tërmet për t’u shqetësuar”, tha Bozo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb