Nga: Raimonda Dervishi Shundi

Shkolla e mesme e kulturës dhe liceu artistik në Tiranën e viteve 70´ ishte nga të vetmet godina ku konkurset seleksiononin elementet – artistë më të talentuar në vend. Aty përgatiteshin kuadrot që do të drejtonin pallatet e kulturës, shtëpitë e kultures si dhe vatrat e kulturës, në gjithë shqipërinë. Një punonjës i një vatre kulture në një fshat e niste ditën e punës duke lexuar, pa nisur akoma puna, shtypin e partisë, krysisht gazetën „ Zëri i Popullit“ . Aty informoheshin fshatarët kooperativistë për direktivat e partisë dhe për luftën në Vjetnam.

Pasi përfundoi mësimi, klasat u mblodhën për një takim të rëndësishëm. Përveç drejtuesve të shkollës ishin edhe ata, ata që lartësonin fitorjet e partisë; punonjësit e sigurimit të shtetit. “Siç edhe e dini, armiqtë Beqir Balluku dhe Petrit Dume janë duke u gjykuar nga drejtësia jonë. Ju si do të donit që ne ti dënonim?“ Në dorë mbanin bllokun ku do të hidhnin atë që nxësësit do tu sygjeronin. Nxënësit nisën sygjerimet: “Tu pritet mishi me thikë dhe tu hidhet kripë” “Të varen dhe të lihet një javë jashtë” “Të digjen të gjallë, “Të … Aktori N.Sh, në atë kohë 15- vjeç, me dy persona të dënuar në familje, dha alternativën e tij pasi dëgjoi sygjerimet rrënqethëse për dënimet e mundshme ndaj gjeneralëve : “Të dënohen sipas ligjeve në fuqi!”. „Të dënohet sipas ligjeve në fuqi?!” ky sygjerim ishte bombë. Sytë ndaluan tek nxënësi N.SH i cili qëndronte i qetë. Ata kuptuan se ky “dënim” tinzar, nuk ishte brenda linjës së partisë. Ky djalë duhej të mbahej në vëzhgim pas kësaj që ai sapo deklaroi. Drejtoria dhe “shokët“ ndiqnin rigorozisht cfarë bënte ai gjatë mësimin, mos fshihej rrëzave me cigare dhe pastaj…

Ai ishte gjithmonë korrekt pas asaj dite. Në kafet miqësore tek hoteli më i përfolur nga Shqiptarët, 15-katëshi, flitej se kudo kishte gjurmues. Tavllat ku shkundej duhani, ishin me vrimë në fund,( si vazot e luleve) pasi aty vendoseshin mikrofonat për tu dëgjuar gjatë gjithë kohës në katin e 14-të të atij hoteli, ku mendohej se ishin instaluar aparaturat përgjuese. Të rinjtë artistë (nisur nga mosha e moskokëçarjes) i bënin karshillëk aparaturave duke iu afruar mikrofonit – tavull dhe citonin me zë të lartë parrullat e kohës :“ Rroftë klasa jonë punëtore””Rroftë shoku Enver” “Lavdi marksizëm-leninizmit” “ Te luftojmë rehatinë personale”, shaka të cilat fati i mirë i tyre nuk i coi në fundin dramatik. Sic duket kanë pritur edhe më tepër.

-Me tre dëshmitarë futeshe në burg në kohën e viteve më të errëta të sistemit diktatorial 45-vjeçar Shqiptar. Por nëse ishte vendosur dënimi, ose më keq akoma, ekzekutimi, as ato nuk hynin në punë. Janë të shumtë viktimat e terrorit të kuq, aq sa drithërimat ende trondisin kujtimet, sidomos përjetuestit e tyre. Por ne, nuk do qëndrojmë tek emrat, por te disa metoda që pushteti përdorte për të dënuar nëse rasti ishte i tillë.

-Mbledhjet e kolektivit ishin forma më rutinë dhe e zakonshme në të gjithë insitucionet. Metodë e cila i kishte dhënë maksimalisht frytet e punës. Nga këto mbledhje, individit që i kishte shkarë situata, niste t´i bëhëj presion kolektiv dhe AI duhej të bënte fillimisht një diskutim bindës, AUTOKRITIK, që të niste (nëse fati do ish me të) pastrimi i figurës së tij. Fletë-rrufetë dhe fletë-lavdërimet ishin vlerësimet e shpeshta kohore të cilat vendoseshin në vendin e punës. Në qëndrën e Tiranes vendoseshin fotografitë nëse ishe një punëtor model, diku pranë Sahatit. Ndërsa për vlerësime monetare, as që bëhej fjalë. Në fund të fundit, „komunisti duhej të ishte i pari në sakrifica dhe i fundit në pretendime” (citimi i dashur i atyre viteve).

Kërkimi i mendimit të të rinjve se si duheshin ndëshkuar armiqtë e popullit ishte më pak i njohur. Kjo gjetje kreative kishte fuksionin e larjes së trurit si dhe evidentimin e elementëve me “risk” për partinë. Shkollat e kulturës ishin nga strehëzat me më shumë elementë rebelë. Arti si më pranë lirisë dhe të bukurës, por edhe më imponuesi në komunitet, i bënte shumë herë më të ekspozuar nga veset e botës kapitalite, ndaj vizitat apo kontrollet e klasës punëtore apo organeve të tjera kopetente ishin gjithmonë me kleçka. Kontrollet e ashtuquajtura „të klasës punëtore“ ishin grupe të caktuara partiakësh fanatikë, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin dokumentacionet e institucionit, siç ishte edhe ai i teatrit (meqë sot po flasim për artistët) dhe duhet të merrnin masa për situatën që paraqiteshin.
Sekretari i partisë së rrethit ishte figura qëndrore për politikat artistike. Ai me grupin e tij kishte si një nga detyrat qëndrore ndjekjen e repertorit, madje deri në anulimin e shfaqjes nëse spektakli nuk ishte i publikueshëm. Vinin dhe asistonin në çdo provë gjenerale duke depozituar ankesat. Vetëm nësë produkti mund të korrigjohej, rivinte dhe shihte se si ishte finalizimi i saj që qytetarët të mund të merrnin mesazhet e duhura partiake. Ndërsa “kontrollet e klasës punëtore”, duke qënë punëtorë të thjeshtë dhe me artin nuk i lidhte asgje, (madje as edhe të qenurit spektator nganjeherë), pretendimet e tyre ishin hera-herës edhe absurde.

Kishte nisur gjuetia e ushtarakëve të lartë të shtetit dhe një nga këto emra ishte ai i Beqir Ballukut (Ministri i Mbrojtjes për kohën) apo Petrit Dume (gjeneral) të cilët ishin në proces gjykimi nga drejtësia. Gjithçka ishte në kontrollin e partisë, përfshirë edhe më të preferuarin e tyre, GJYKIMIN (në atë kohë ekzistonte dënimi me vdekje në Shqipëri, vendim i cili u hoq nga qeveria „Berisha“ si kërkesë e komunitetit Europian). Armiqve partia ua ndërrontë vazhdimisht emrat, në varësi të direktivave dhe eliminimeve momentale që komandanti kishte. Shkolla, si vendi i formimit të të rinjëve, përdorte autoritetin dhe format e saj ideologjike diktuese për tu informuar mbi sjelljet e nxënësve dhe për t’u injektuar atyre komunizmin „Hoxhian“. Lëndët me pikët më të larta për të dalë e drejta e studimit ishin ato partiake (marksizëm- leninizmi, PPSH etj). Detyrimisht duhej të ishe një nxënës i mirë për të qënë një aspirant për arsimimin e lartë. Që këtu nis një lojë e vështirë mes individit dhe këtij realiteti për ata që talenti i thërriste drejt skenës.

Fëmijët e atyre viteve nuk rriteshin ashtu sic ndodhte me fëmijëte botës së lirë, ku përrallat dhe lodrat alternative të ishin frymëzim. Në të gjitha dhomat, korridoret apo ambjentet e ngrënies (nuk jam e sigurt në kishte edhe në banjo) vendoseshin portretet e udhëhëqësve të partisë si dhe ishin të shkruar me gërma të mëdha sloganet tipike komuniste: “Partia është nëna jonë” “Të luftojmë rehatinë personale” “Lart frymën revolucionare”.

Ishin të shumë artistët e thirrur dhe kërcenuar nga zyrat e sigurimit të shtetit. Madje disa e përjetuan aq keq sa nuk mundën të cliroheshin kurrë nga traumat që i shkaktuan këto zyra. Pothuajse të gjithë aktorët ishin në presione jetike. Shumë prej tyre u gjykuan keqas, shumë të tjerë u larguan… dhe ata që i shpëtuan ishin nën mbikqyrje. Figura e sekretarit të partisë në Teatrin Popullor (sot Kombëtar) ishte pothuajse e njejtë me atë të drejtorit. Ky autoritet përdorej për të pasur nën hyqmin e vet si politikat e repertorit (sekretati i parë i rrethit) si dhe mesazhet që do i përcilleshin popullatës artëdashëse që ishin të shumtë, futur këtu edhe moralin e pastër. Qytetarët ndiqnin të vetmet zbavitje që kishte, duke i kaluar në filtra të pafund deri në produktin final. Dhe njerëzit intuitivisht hiqnin moralizimet e ideologjinë duke shijuar veprën sipas mendësisë personale. Figurat e sekretarit të partisë apo punonjësve të sigurimit të shtetit në filmat tanë ishin nga figurat e qëndisura me më shumë dashuri ku aktorët e mrekulllueshëm Vangjush Furxhi, Sandër Prosi, Llazi Serbo… i lanë shenja që nuk mundën t´i kalojnë deri në fund. Nga 14 filma në vit që Kinostudio “Shqipëria e Re” realizonte, pjesa më e madhe ishte figurat e heronjeve. Vetëm pak ishin me temën e ditës por sërisht partia, parrullat e morali komunist duhej të ishin protagonistë, ndryshe… film nuk ka. Gjithshça që ndodhte në filmat e kohës ishte një sajesë e neveritshme, ku askush nuk mund të shihte veten. Ndjekja e të vetmit argëtim artistik, filmi dhe teatri, ishte si një përrallë që na duhej të flinim në gjumin e territ elizir Shqiptar.

Kushtetuta e Hoxhës mbi të drejtat dhe liritë qytetare
Neni 53 i Kushtetutës Shqiptare të vitit 1976 garantonte “lirinë e fjalës, shprehjes, organizimit, grumbullimit” etj. Kjo liri në dukje e garantuar nga Kushtetuta, kufizohej dhe ndoshta anulohej në nenin 39 të saj, i cili thoshte: “Të drejtat dhe liritë e qytetarëve vendosen në bazë të përshtatjes së interesave të individit me ato të shoqërisë socialiste, ku prioritet i jepet interesit të përgjithshëm. Të drejtat e qytetarëve janë të pandashme nga plotësimi i detyrave tyre dhe nuk mund të ushtrohen në kundërshtim me rendin socialist”. Situata e krijuar nga neni 39 në fakt mohonte nenin 53 duke i dhënë qeverisë së Hoxhës justifikimin për të udhëhequr qytetarët drejt linjës së partisë, ose ndryshe të përballeshin me dënime të ashpra.

Një mangësi serioze e Kushtetutës shihet në qartësimin e mëposhtëm: “Lufta e klasave dhe diktatura e proletariatit po bëhet gjithnjë e më e fortë në Shqipëri”. Kjo do të thotë se sipas Kushtetutës, shteti nuk nis dhe as nuk tërhiqet nga qëllimi tradicional i komunizmit por vetëm merr fuqi, prandaj Kushtetuta shpeshherë i referohet shtetit dhe autoritetit të tij të gjerë. Si për shembull “shteti organizon, menaxhon dhe zhvillon ekonominë dhe jetën shoqërore të vendit me anë të planeve të përgjithshme dhe të veçanta”. Ky kombinim i kontradiktave kushtetuese dhe i konceptit të drejtësisë së njëanshme është një standard tjetër nga ato perëndimore dhe krijon një përzierje shumë të paqëndrueshme. Kodi i ri Penal Shqiptar u prezantua më 1 tetor 1977 dhe edhe ai merrej kryesisht me objektivat politike dhe ideologjike.

Neni 1 i Kodit është një reflektim i mungesës së lirive të qytetarëve gjatë qeverisë së Enver Hoxhës: “Legjislacioni penal i Shqipërisë shpreh vullnetin e klasës punëtore dhe masave të tjera, si një armë e diktaturës së proletariatit dhe e luftës së klasave. Kodi penal ka për detyrë të mbrojë shtetin socialist dhe partinë e Punës si forca kryesore drejtuese e shtetit dhe shoqërisë. Një detyrë e rëndësishme e legjislacionit është lufta kundër burokracisë dhe liberalizimit, si rreziqet kryesore ndaj shtetit dhe diktaturës së proletariatit”. Një tjetër problem që me shumë gjasa krijohej qëllimisht nga qeveria në këtë mes, është gjuha e mjegullt e shumë statuteve të kodit penal dhe mungesa e direktivave specifike që lejon që çdo veprim të përfshihet nga interpretime më të gjera ose të bjerë në kundërshtim me vetë statutin e deklaruar. Për shembull: “Veprimi ose mosveprimi me qëllim dobësimin e shtetit ose të partisë, të ekonomisë apo të shoqërisë, dënohet me 10 vjet burg ose me vdekje”.

E gjithë kjo mbulesë ligjore, në fund, e bëntë të pamundur gjithçka jo ligjore.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: