Analisti Fatos Lubonja beson se në 2020 Shqipëria mund të ketë më shumë qëndrueshmëri në aspektin politik, por rrezikojmë edhe degjenerim të mëtejshëm. Në “Real Story”, Lubonja deklaroi se shqiptarët ikin edhe sepse nuk kanë mundësi të zgjedhin se kush i qeveris.

“Dështimit të këtij viti, dua t’i shtoj dhe refuzimin e hapjes së negociatave. Refuzimi që na bëri Europa për negociatat, nuk ishte një refuzim rutinë. Ishte një refuzim në koncept, Franca tha se këto vende nuk janë gati të futen në BE. Unë nuk e shoh pa dritë në fund të tunelit të ardhmen. Për mua problem kryesor është bllokimi i sistemit tonë politik. Shqiptarët nuk ikin vetëm se nuk kanë të ardhme ekonomike, por edhe se nuk kanë mundësi të zgjedhin”, tha Lubonja.

“Ne duhet të rithemelojmë institucionin e zgjedhjeve të lira. Rama tha në 2017; ma lini mua timonin se di ta bëj më mirë. Nga ai moment ne kemi regres. Pas 2017 ne kemi rënie të mëdha, Shqipëria nuk po qeveriset mirë. Optimizmi im është se ka një përpjekje për të zhbllokuar sistemin e politikës, për të rikthyer sistemin e garës brenda partive. Minimumi që mund të na sjellë kjo është një pushtet i ekuilibruar. Unë besoj se me SPAK do të kemi ndëshkime”, tha Rakipllari.

Edhe për analistin Fatos Lubonja, ka pak dritë në fund të tunelit. Lubonja beson se në 2020 futja e opozitës në sistem mund të vendosë balancat në politikën e vendit. “Ne përgjithësisht na dominon një lloj pesimizmi. Pyetja që ngre unë është; a mendojnë kështu ata që kemi në pushtet, kështu si ne? Apo ne analistët që flasim për këto shqetësime ata na shohin si “qen që lehim”. Nëse kemi një qeverisje që nuk mendon kështu, atëherë është problem e ardhmja e vitit që vjen. A kemi ne shpresë se dhe brenda kësaj partie të ketë lëvizje, jam më shumë pesimist se sa optimist.

Ky Prokurori i Përgjithshëm, që është i pavarur, a kemi ndonjë shpresë nga ky? Ai ka prova konkrete! Kjo prapë të çon te pesimizmi. Futja e opozitës në lojë mund të balancojë gjëra dhe disa probleme mund të trajtohen. Por nuk duhet të harrojmë se kemi një opozitë, që dhe kulturalisht dhe nga mundësia se si është imponuar dialogu politik, mund të na çojë në një konflikt ose në eliminim të opozitës. Situata e 2020 mund të na çojë në kontroll të mëtejshëm të pushtetit nga Edi Rama dhe me stabilitet, por mund të na çojë në një degjenerim. Nuk jam shumë optimist”, tha Lubonja.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb