Daja i 30-vjeçarit Sajmir Greku, që humbi jetën bashkë me dy prindërit në Thumanë, nga tërmeti i 26 nëntorit, ka ardhur nga Amerika për t’iu dhënë lamtumirën e fundit të afërmve të tij.

I moshuari rrëfen në një intervistë për gazetarin Enver Doçi si e mori vesh lajmin e hidhur të vdekjes nën rrënoja të motrës Çelike Greku, 57 vjeç, me burrin, Pëllumb Greku, 57 vjeç, dhe djalin, Sajmirin, i cili u nxor i gjallë nga rrënojat, por që ndërroi jetë në spital.

Sa pjesëtarë ke humbur?
3 pjesëtarë nga një familje.

Ju jetoni në Amerikë, si e morët vesh lajmin e keq?
Po, në Amerikë. Atë ditë kishin punuar te shtëpia ime dhe kishin dalë. Në darkë rashë pak shpejt, pasdite vjen djali më i vogël dhe më thotë “çohu pak, ka rënë tërmet në Shqipëri dhe është rrëzuar pallati i hallës”. Thashë inshallah s’ka shumë njerëz, se aty jetonin shumë, por djali i madh kishte dy muaj që kishte ikur në Francë, pasi aty ishte ngushtë shumë. Ishte dhe një familje tjetër, e atij që është vrarë, por për fat, e shoqja e tij me vajzën e vogël janë larguar nga shtëpia një ditë para se të ndodhte katastrofa, fati i nuses së Mirit dhe vajzës së vogël që të jetojnë dhe sot.

Pastaj, kemi ndenjur gjithë natën duke parë televizionin dhe shikonim që jepnin vetëm pallatin tonë. Po prisnim me ankth se kë do të nxjerrin nga rrënojat, se po punonin forcat e shpëtimit. Pas 6-7 orësh nxorën vetëm Sajmirin, nipin. U gëzuam që e nxorën gjallë. Prit se po nxjerrin motrën dhe burrin e saj, por ata i nxorën mjaft vonë, nuk mundën të jetonin. Më në fund ne u nisëm, kur arritëm në Stamboll donim të dinim çfarë ka ndodhur.

Morën në telefon dhe na dhanë lajme të këqija, që Sajmiri nuk kishte mundur të mbijetonte dot. Aty u ndjemë mjaft keq, se të paktën të ishte Sajmiri, kishte një fëmijë edhe gruan. Nuk ndodhi siç dëshironim të gjithë ne. Erdhëm në Shqipëri, prisnim edhe djalin tjetër nga Franca, që erdhi me familjen më vonë. Këta që u larguan nga shtëpia ishte një fat i madh, se ndryshe do të ndodhte një katastrofë e madhe në atë shtëpi. Edhe goca e motrës ka qenë larguar në Tiranë, sepse punonte atje.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb