Kriza e COVID-19 ka çuar në mungesë të birrës në Meksikë, ku raftet e dyqaneve janë boshatisur dhe adhuruesit e birrës po ankohen në rrjetet sociale.

“Prodhimi dhe shpërndarja për tregun vendor ka ndaluar”, deklaroi drejtoresha e Dhomës Kombëtare të Industrisë së Birrës, Karla Siqueiros.

Pezullimi i aktiviteteve jothelbësore ekonomike, në të cilat përfshihet dhe prodhimi i birrës, do të përfundonte më 30 prill, por është zgjatur edhe me një muaj tjetër.

Birra mungon kryesisht në dyqanet e vogla, të cilat nuk kanë kapacitetin e depozitimit të supermarketeve.

Përdoruesit meksikanë të Twitter-it kanë përdoruar në formë shakaje hashtagun #LaUltimaChela, që do të thotë “Birra e Fundit”, duke postuar foto që pasqyrojnë dëshpërimin e tyre.

Meksika është prodhuesi i katërt më i madh në botë i birrës dhe në vitin 2019 prodhoi 12,45 miliardë litra birrë.

Gjithashtu është edhe eksportuesja më e madh në botë, ku birra “Corona” është marka më e njohur.

Siqueiros tha se sektori ishte gati të riniste sa më shpejt prodhimin nën normat më të rrepta të higjienës dhe sigurisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: