Nga shqetësimi për një rifillim të infektimeve nga COVID-19, autoritetet spanjolle njoftuan sot dëshirën e tyre për të kufizuar udhëtimet gjatë Javës së Shenjtë, një institucion i vërtetë në vend, pavarësisht nga një përmirësim i qartë i treguesve shëndetësorë.

Në fund të një takimi midis qeverisë qendrore dhe 17 rajoneve të vendit, Ministria e Shëndetësisë njoftoi një marrëveshje për të mbyllur rajonet, që do të thotë se nuk do të jenë të mundura udhëtimet midis tyre.

“Qëllimi ynë është ende që të shpëtojmë jetë, jo që të shpëtojmë “javë (të shenjta)”, tha Carolina Darias, ministrja e Shëndetësisë.

Kjo marrëveshje parashikon gjithashtu një ndalim të festimit të ngjarjeve publike dhe një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 06:00.

Masat janë tashmë në fuqi në disa rajone, si pjesë e gjendjes së urgjencës shëndetësore, e miratuar në tetor.

Ndërsa sinjalet kanë qenë të mira për disa javë, qeveria dëshiron të shmangë me çdo kusht një rifillim të epidemisë, siç ishte ajo e shkaktuar në fillim të janarit nga lehtësimi i kufizimeve me rastin e festave të fundvitit.

Vendimi pritet të miratohet zyrtarisht javën e ardhshme dhe po përballet me kundërshtime nga rajoni i Madridit, një nga rajonet me masat më të lehtësuara në Spanjë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb