Danimarka pas 30 vitesh rihap ambasadën e saj në Irak të cilën e kishte mbyllur gjatë Luftës së Gjirit.

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Jeppe Kofod, i cili ndodhet për vizitë në Irak u takua në Bagdad me homologun e tij irakian, Fuad Hussein.

Në një konferencë të përbashkët për media pas takimit Kofod tha se “Jemi të kënaqur për zhvillimin e marrëdhënieve mes Bagdadit dhe Kopenhagës. Si Danimarkë rihapëm ambasadën tonë në Bagdad”.

Ministri i Jashtëm irakian, Hussein tha se me Kofod kanë biseduar për zhvillimin e bujqësisë, industrisë dhe sektorit privat në Irak.

“Rihapja e ambasadës së Danimarkës është një hap i rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. I bëjmë thirrje kompanive të Danimarkës që të investojnë në Irak”, deklaroi Hussein.

Pasi vuri në dukje se Danimarka ka një rol të rëndësishëm në NATO, Hussein tha: “Falënderojmë Qeverinë e Danimarkës për mbështetjen që ka ofruar në rindërtimin e rajoneve të çliruara nga organizata terroriste DEASH”.

Ministri i Jashtëm danez në kuadër të vizitës së tij në Bagdad pritet të takohet me presidentin irakian, Barham Salih dhe kryeministrin Mustafa Al-Kashimi.

Danimarka ka rreth 130 ushtarë në kuadër të forcave të koalicionit në bazën ushtarake Ayn Al Asad në perëndim të Irakut. Gjithashtu Danimarka udhëheq edhe forcat e koalicionit në Irak.

Ambasada e Danimarkës në Bagdad ishte mbyllur që nga Lufta e parë e Gjirit në vitin 1991/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb