David Beckham ka refuzuar të komentojë publikisht mbi raportimet për përçarjen me djalin e tij të madh, Brooklyn Beckham, duke e cilësuar këtë si një temë private gjatë një interviste të fundit.

I pyetur për ndikimin që kriza familjare ka pasur në jetën e tij personale, ish-futbollisti e ndërpreu menjëherë gazetarin dhe tha se nuk dëshironte të fliste për këtë aspekt të jetës së tij. “Më vjen keq që të ndërpres, por kjo është një çështje personale. Është e vetmja temë për të cilën nuk dua të flas”, u shpreh ai. Në vend të polemikave familjare, Beckham preferoi të përqendrohej te projektet e tij profesionale dhe jeta personale. Ai tha se vazhdon të ketë objektiva të reja, ndërsa menaxhon bizneset, klubin e futbollit në Miami dhe jetën me familjen.

Ish-kapiteni i Anglisë foli edhe për martesën e tij 26-vjeçare me Victoria Beckham, duke theksuar se sekreti i marrëdhënies së tyre është vendosja e familjes mbi gjithçka tjetër. “Kemi katër fëmijë të mrekullueshëm dhe punojmë shumë në projektet tona, por gjithmonë gjejmë kohë për njëri-tjetrin. Pavarësisht angazhimeve, familja mbetet prioriteti ynë absolut”, deklaroi ai.

Intervista u zhvillua pak përpara ceremonisë ku David Beckham pritet të nderohet me një yll në Hollywood Walk of Fame, një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën e tij. Sipas raportimeve, në ceremoni pritet të marrin pjesë Victoria Beckham dhe tre fëmijët e tjerë të çiftit, ndërsa mungesa e mundshme e Brooklyn Beckham ka nxitur spekulime të reja për marrëdhëniet e tensionuara brenda familjes.

Mediat britanike raportojnë se përplasjet mes Brooklyn dhe prindërve të tij janë thelluar muajt e fundit. Thuhet se ai dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, janë distancuar nga familja Beckham dhe kanë munguar në disa ngjarje të rëndësishme familjare. Megjithatë, asnjëra palë nuk ka bërë publike detaje të plota mbi mosmarrëveshjet.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: