TIRANE- Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj është thirrur sot për të raportuar para Komisionit Hetimor për CEZ. Gjatë fjalës së tij Leskaj theksoi se ai nuk është aty në cilësinë e dëshmitarit, por si denoncues i aferës korruptive.

Ai pohoi se para një viti kishte denoncuar në prokurori aferën, ndërsa tha se duhet të ishte thirrur në Kuvend kohë më parë në lidhje me këtë denoncim të bërë 1 vit më parë. Teksa u ndal tek auditimi që i është bërë CEZ, ai bën me dije se auditi nuk ka qenë për politikat, por për zbatimin e procedurave. Ndër të tjera Leskaj tha se procesi duhet të ishte i mirëdokumentar, pasi ishin vetëm 15 faqe letre.

“Nuk jam unë dëshmitari, por denoncuesi i aferës korruptive. Dua të theksoj se në përgjigjet e pyetjes jemi përmbajtur të jemi konciz. Është e mira që edhe qytetarët shqiptar, se KLSH dhe unë në këtë auditim nuk kanë ndikuar politikat e qeverisë por politikat e auditimit. Ndaj është për të ardhur keq, madje edhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të më dëgjonte mua për këtë denoncim. Pasi unë e kam bërë denoncimin para një viti. KLSH në këtë auditim normal që ka zhvilluar, nuk ka gjetur asnjë gjurmë dokumentesh që të tregonte se çfarë kishin palët mes njëra-tjetrës. Duhet të ishte kolegjial dhe transparent në çdo hallkë të tij. Janë 15 faqe letër nga auditi që kanë konfirmuar shtyrje afatesh memorandume bashkëpunimi. Duke i vlerësuar pyetjet e deputetëve dhe duke shprehur respektin tim për ju do i përgjigjem pyetjeve. Nuk do keni komente që të dalë jashtë kostumit zyrtar”, tha Leskaj.

Por gjatë raportimit të Leskajt, kanë nisur debatet mes deputetëve Spaho, Shalsi dhe Mima, çka u bë shkak edhe për ndërprerjen e mbledhjes.

“Nuk bëhem pjesë e teatrit qesharak. Komisioni u mblodh pa kuorum”, tha deputeti Shalsi.

Më herët, Taulant Balla, kryetari socialist i komisionit hetimor për verifikimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë privatizimit të operatorit të sistemit të shpërndarjes (OSSH), i kërkoi sot kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta zgjatjen per një periudhë 3-mujore të afatit të veprimtarisë të këtij komisioni. Në një letër drejtuar kreut të Kuvendit, Balla thotë se ndonëse komisioni ka vijuar punën në përmbushje të objektit për të cilin është krijuar, afati ligjor i funksionimit të tij përfundon më 13 tetor 2016.

(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: