Diplomatët rusë të dëbuar nga Norvegjia dyshohen se punonin për agjencitë e inteligjencës së Moskës.

Ditën e djeshme qeveria norvegjeze vendosi të dëbojë 15 diplomatë rusë, të cikët akuzohet se punojnë në Zyrën Kryesuese të Inteligjencës (GRU), Shërbimin e Inteligjencës së Jashtme (SVR) ose Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).

“Ne jemi të sigurt se këta individë janë ata që ne i quajmë oficerë të inteligjencës nën mbulesë diplomatike,” tha Inger Haugland, shefe e kundërzbulimit të Shërbimit të Sigurisë Policore Norvegjeze, në një konferencë shtypi në Oslo.

Rreziku i paraqitur nga inteligjenca ruse në Norvegji është zvogëluar pas këtij vendimi, por nuk ka gjasa që Rusia të ndërpresë operacionet e saj të spiunazhit në vend, tha Haugland.

“Është e rëndësishme të thuhet se shërbimet e inteligjencës ruse do të vazhdojnë të operojnë në Norvegji. Norvegjia është e rëndësishme për Rusinë dhe shërbimet e inteligjencës do të vazhdojnë të kenë detyra në Norvegji“, shtoi më tej ajo.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze, masa ‘ndëshkuese’ vjen si përgjigje ndaj një kërcënimi në rritje të inteligjencës nga Moska dhe një “përkeqësimi të situatës së sigurisë” në Evropë.

Ajo tha se kishte monitoruar 15 punonjësit e ambasadës dhe kishte gjetur se ata ishin “të përfshirë në aktivitete që nuk janë në përputhje me statusin e tyre diplomatik”.” Duhet të largohen nga vendi sa më shpejtë”, tha ministria në një deklaratë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: