Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pesë policë të Kosovës “po mbahen peng” nga Serbia, shtet të cilin e cilësoi si “shovinist”. Në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të Policisë së Kosovës, Osmani i bëri thirrje faktorit ndërkombëtar që të reagojë për këtë çështje. “I bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrenë zërin dhe t’i rrisin përpjekjet që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë. Por, jam e bindur që betimi i sotëm, dhe të gjithë këta kadetë dhe ky grup multietnik është përgjigja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla”, tha Osmani.

“Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente pesë policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia”, shtoi ajo. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) tha të mërkurën vonë se një zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës dhe katër zyrtarë të tjerë policorë janë duke u mbajtur nga autoritetet serbe.

Ministria tha se zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës i nacionalitetit serb, Dejan Jankoviq, është duke u mbajtur “në ndalim nga mëngjesi i sotëm pa asnjë sqarim”, tha MPB-ja. Jankoviq – i cili vjen nga komuna e Shtërpcës – u ndalua në pikën kufitare me Serbinë, Jarinjë, në veri të Kosovës, dhe u dërgua për intervistim në qytetin jugperëndimor të Serbisë, Rashkë. MPB tha se fillimisht ishin ndaluar dhjetë zyrtarë policorë – shqiptarë dhe serbë – por, pesë prej tyre ishin liruar.

Osmani tha se “kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e INTERPOL-it dhe e EUROPOL-it”. Më 17 prill, udhëtarë dhe autobusë nga Kosova u bllokuan në kufijtë e Serbisë me Hungarinë dhe Kroacinë. Autoritetet e Kosovës thanë se ndalimi i tyre u bë në shenjë hakmarrjeje nga Serbia për shkak të votës pro mbështetjes së anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Serbia mohoi se ka ndaluar autobusët me udhëtarë nga Kosova, duke i cilësuar akuzat e Kosovës si “të pabaza”.

“Po forcohet kontrolli i të gjithë pasagjerëve në pikat kufitare dhe po kryhen kontrolle të sigurisë, e gjitha kjo me qëllim të sigurisë dhe sigurisë më të madhe të qytetarëve, gjë që mund të shkaktojë një qëndrim më të gjatë në vetë pikën kufitare”, tha Ministria serbe për Punë të Brendshme përmes një reagimi të publikuar më 17 prill.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: