TIRANE- Ministria e Shëndetësisë ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të kreut në detyrë të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Din Abazaj, lidhur me nismën e shpallur nga ministri Ilir Beqaj për testimin në fushën e mjekësisë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, vendimi për testimin është marrë si pasojë e vlerësimeve të këtyre 16 muajve në detyrë, për funksionimin e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend, në të gjitha nivelet e tij, gjetjeve të raportit të studimit vëzhgimor të zhvilluar nga KZLN-ja me mbështetjen e USAID-it “Vëzhgim për Qendrat Shëndetësore në Shqipëri”. Ndërkaq, vendimi është marrë si pasojë e gjetjeve dhe rezultateve të procesit të trajnimit të 1400 mjekëve dhe 5600 infermierëve për Programin e Kontrollit Bazë Pa Pagesë 40-65 vjeç si dhe në numrin e lartë të përgjigjeve që rezultuan negative, qoftë të analizave laboratorike, apo qoftë atyre imazherike që kërkohen rëndom nga mjekët e sistemit të kujdesit shëndetësor në vend.

Ndaj, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, për të përmirësuar nivelin e burimeve njerëzore në përmbushje të Programit të Qeverisë, për të programuar qartë dhe saktë nevojat për përmirësimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore, si dhe për të orientuar drejt ofertën e edukimit në vazhdim, ministria e Shëndetësisë ka vendosur që të testojë mjekët, infermierët, si dhe punonjësit e tjerë teknikë mjekësorë.

“Dëshirojmë të ritheksojmë se ky program testimi as nuk e cënon dhe as nuk e dëmton procesin e nisur tashmë prej pesë vitesh të edukimit në vazhdim. Ministria e Shëndetësisë mbështet procesin e edukimit në vazhdim dhe është e angazhuar të përmbushë të gjitha detyrimet që burojnë nga Vendimi i Bordit të QKEV-së, i cili është marrë në dakordësi me të gjithë anëtarët e tij, përfshirë edhe përfaqësuesit e urdhërave të profesionistëve të shëndetit”, ka nënvizuar Ministria.
Ndërkaq, sipas ministrisë, sa i përket ndryshimit të qëndrimeve të Urdhrit të Mjekëve, ky i fundit duhet të përmbushë detyrimet për zbatimin e ligjshmërisë së funksionimit të tij, në përputhje me Nenin 21, të Ligjit Nr. 123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: