TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka komentuar dhe deklaratat e Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç se është duke realizuar negociata për Kosovën me Perëndimin e jo me shqiptarët.

Rama tha nga konferenca me homologun kosovar Avdullah Hoti se Presidenti i Serbisë mund të shkojë dhe në hënë por se në përfundim do ulet me autoritetet në Kosovë dhe në Tiranë.

Ai deklaroi se fatkeqësia që ne shpesh herë na ka ndjekur në historinë tonë që kur është dashur të jemi një kur negociojmë me të tjerët kemi humbur raste historike dhe i kemi bërë gropën vetes sepse nuk negociojmë dot me njeri-tjetrin.

“Presidenti Vuçiç është president i Serbisë, mbron interesat e Serbisë dhe mund të thotë nuk negocioj me shqiptarët, negocioj me perëndimin por nuk ka shans të negociojë me perëndimin për shqiptarët. Ama ajo që unë lexoj në këto rreshta dhe dua ta them hapur se nuk ka këtu kohë është fatkeqësia që ne shpesh herë na ka ndjekur në historinë tonë që kur është dashur të jemi një kur negociojmë me të tjerët kemi humbur raste historike dhe i kemi bërë gropën vetes sepse nuk negociojmë dot me njeri-tjetrin. Nëse jemi një, presidenti i Serbisë mund të shkojë në perëndim, në hënë po të dojë, në përfundim do të ulet me ne, kur them me ne, me autoritetin sovran të Kosovës. Është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e tij, dhe me ne në Tiranë që do mbështesim udhëheqjen e Prishtinës.

Përballë deklaratave të tilla provokuese ka dy rrugë, njëra e barrikadimit tjetra e përballimit. Barrikadimi është në dëmin tonë, jo të Serbisë. Përballimi sy më sy dhe drejtpërdrejt me mjetet e paqes është sfida jonë. Fiton kush është më i mençur dhe kush arrin të tregojë forcën e mendjes dhe të largpamësisë në paqe. Nuk fiton kush bën të fortin me ‘facebook’ dhe me deklarata përçarëse dhe duke shfrytëzuar emocione, konjektura të brendshme për t’u dukur para popullit si patriot i madh që po shpëton atdheun nga tradhtarët dhe agjentët”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: