Armando Broja duket se ka pësuar një dëmtim të rëndë pasi u zëvendësua kundër Aston Villa në një miqësore në Abu Dhabi. Sulmuesi shqiptar e nisi lojën në sulm së bashku me Aubameyang, por mbeti në tokë pas një përplasjeje me Ezri Konsa dhe ulëriti nga dhimbja.

Broja u fut për një top në zonën e Vilës, por menjëherë ra në tokë dhe qëndroi poshtë për disa minuta përpara se të largohej me barelë. Chelsea ka disa futbollistë të dëmtuar, duke filluar me N’Golo Kante, Reece James, Wesley Fofana dhe Ben Chilëell të gjithë të padisponueshëm për Graham Potter aktualisht. Tashmë shtohet edhe Broja, për të cilin ende nuk dihet mungesa.

Trajneri ka shpjeguar situatën e Brojës pas ndeshjes miqësore. “Ishte një dëmtim fatkeq, atij iu ngatërruan kembet me lojtarin e Aston Villa dhe ra në tokë. Nuk duket pozitive për momentin, por është shumë herët për të thënë. Ne i kemi gishtat e kryqëzuar, por është e vështirë të parashikoj se cfarë mund të ndodhë dhe si do të jetë gjendja. E përsëris, përshtypja e parë nuk është aspak pozitive” –  u shpreh Potter.

Chelsea kthehet në fushë në Premier League me një ndeshje në shtëpi kundër Bournemouth më 27 dhjetor, por me shumë mundësi Broja e ka humbur këtë sfidë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb