Në një event të mirë-organizuar në Ashraf-3, ku banojnë mijëra anëtarë të lëvizjes kryesore opozitare të Iranit, Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (PMOI/MEK), pjesëmarrësit, duke përfshirë 1,000 ish të burgosur politikë nën regjimet e mullahëve dhe të Shahut, i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar të thyejë heshtjen e tij ndaj masakrës së 1988-ës dhe kryengritjes së nëntorit 2019 dhe kërkuan ndjekjen penale të autorëve të të dy masakrave, duke përfshirë liderin suprem të regjimit iranian, Ali Khamenei, dhe presidentin e tij Ebrahim Raisi.

Pjesëmarrësit bënë homazhe në kujtim të 30,000 të burgosurve politikë të masakruar në vitin 1988, dhe 1,500 protestuesve të vrarë gjatë kryengritjes së nëntorit 2019.

Më shumë se një duzinë ish të burgosurish politikë folën në këtë event dhe rrëfyen përvojat e tyre të tmerrshme gjatë kohës që ishin në robëri.

Si pjesë e përkujtimit të atyre që u masakruan në vitin 1988, në Ashraf-3 ishte ndërtuar një model I varrezave Khavaran në Teheran, ku mijëra të burgosur politikë të ekzekutuar janë varrosur në varre pa emër.

Gjithashtu, modele të disa pjesëve të burgut famëkeq Gohardash, në perëndim të Teheranit, duke përfshirë korridorin e vdekjes, dhomën e komisionit të vdekjes dhe dhomën e gazit, ku dhjetëra të burgosur rebelë mbaheshin për orë të gjata, ndërsa dhoma nuk kishte dritare apo ventilim, ishin krijuar në muzeun e 120 viteve të luftës për liri në Iran. Atje tregohej se si të burgosurit silleshin para komisionit të vdekjes, si rreshtoheshin në korridorin e vdekjes që të çonte në sallën e ekzekutimit, ku të burgosurit vareshin në grupe prej 12 vetësh.

Ky event u zhvillua në kohën e transferimit në Shqipëri të procesit gjyqësor që po zhvillohet në Stokholm ndaj një zyrtari të regjimit klerikal për rolin e tij në masakrën e vitit 1988.

E gjithë gjykata e rrethit e Stokholmit u zhvendos në portin shqiptar të Durrësit, me kërkesë të prokurorisë, për të dëgjuar dëshmitë e dëshmitarëve që do të merren në pyetje deri më 18 nëntor, të cilët janë të gjithë anëtarë të MEK dhe banojnë në Ashraf 3 pranë Durrësit.

Duke shpjeguar marrjen e këtij vendimi të rrallë, kryegjyqtari suedez i çështjes Noury më 26 tetor tha: “Me gjithë vështirësitë dhe sfidat e transferimit, ne e morëm këtë vendim duke marrë parasysh domethënien dhe rëndësinë e dëshmive të paditësve që ndodhen në Shqipëri. Nisur nga rëndësia e këtyre dëshmive për çështjen, të gjashtë gjyqtarët, dy prokurorët, dhe avokatët e paditësve do të vijnë të gjithë në Shqipëri”.

Tre dëshmitarët e parë, të gjithë të mbijetuar të masakrës së vitit 1988 në burgun Gohardasht, ndërsa kujtonin “skenat tronditëse”, theksuan se ato që u dëgjuan në gjykatë ishin “vetëm një pjesë e vogël e krimeve të regjimit klerikal”. Njëri prej tyre theksoi “Ajo që ndodhi në burgjet iraniane në vitet 1980, dhe veçanërisht në 1988, është padyshim një gjenocid dhe një krim kundër njerëzimit”.

Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), iu bashkua aktivitetit dhe foli shkurtimisht para audiencës. Në një pjesë të fjalimit të saj, zonja Rajavi tha: “Flakët e kryengritjes së përgjakur të nëntorit 2019 nuk janë shuar dhe nuk do të shuhen kurrë. Regjimi klerikal e ktheu atë në kasaphanë. Ai i masakroi protestuesit. Por shpirtrat e atyre 1500 të rinjve dhe adoleshentëve, zemrat e të cilëve u shpuan nga breshëria e plumbave nëpër rrugë, rrugica e moçale, do të ngrihen sërish. Ata do të ngrihen përsëri në formën e një ushtrie të madhe me ushtarë të panumërt. Ata do të vazhdojnë betejën e tyre për të luftuar derisa të shpërthejnë më shumë kryengritje si ajo e nëntorit 2019, derisa organizatorët dhe autorët e të gjitha masakrave të ndiqen penalisht dhe derisa të përmbyset fashizmi fetar në Iran”.

Zonja Rajavi shtoi: “Mbledhja juaj sot, e cila i bën homazhe kryengritjes së nëntorit 2019 përmban një mesazh të veçantë. Mesazhi juaj, 1000 ish të burgosur politikë nën Shahun dhe mullahët, është se kërkimi i drejtësisë për viktimat e masakrës së 1988 është njësoj si ngritja për përmbysjen e mullahëve. Nga korridoret e vdekjes së burgjeve në rrugët e Teheranit, Tabrizit, Ahvazit dhe Isfahanit, Muxhahedinët (PMOI/MEK) nuk do të heqin dorë kurrë nga ky objektiv derisa Irani të çlirohet.

Siç theksoi Udhëheqësi i Rezistencës Iraniane Massoud Rajavi, ju jeni pionierët e 500,000 të burgosurve politikë të torturuar; ju keni mbajtur lart flamurin e mbrojtjes së vuajtjeve dhe sakrificës së viktimave. Ju keni mbajtur të gjallë kujtimet e 30.000 trëndafilave të kuq që i përkisnin një lëvizjeje të rezistencës për liri”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: