KUCOVE- Kushtet e vështira ekonomike duket të kenë qenë shkaku i një krimi brenda familjes në Drizë të Kuçovës. Rreth orës 1 pas mesnate, Rruzhdi Luzi vrau me thikën e bukës, gruan e tij 49-vjeçare. Fillimisht u dyshua se ngjarja kishte ndodhur për motive xhelozie, por familjarët e çiftit hedhin poshtë këtë gjë.

Të tronditur nga ngjarja e ndodhur, të afërmit e Rruzhdi Luzit thonë se çifti kishte probleme të mëdha ekonomikë, pasi të dy burrë e grua ishin të papunë, dhe të ardhurat i siguronin nga kultivimi i ullinjve.

Baxhanaku i tij tregon se në banesë ishin edhe fëmijët. Ata flinin në dhomën ngjitur kur 57-vjeçari qëlloi mbi bashkëshorten. “E mora vesh ngjarjen në orën 2 të natës, në telefon. Mora gruan, motrën e saj dhe erdha këtu. Pyeta të vëllanë sesi ndodhi, më tha: Kishin ngrënë, kishin pirë. Kishte ardhur çuni dhe çupa kishin ngrënë bukë, se çuni vjen vonë në orën 1 të natës. Kishte ngrënë bukë, kishte lënë bukën të shtruar në tavolinë. Kishin rënë për të fjetur dhe pas asaj është bërë ai muhabeti. Nuk kanë pasur probleme”.

Ai më tej ai shtoi se problemet ekonomike mund ta kenë shtyrë drejt aktit të rëndë. Ka qenë njeri fukara, i vuajtur në punë si ai dhe ajo. E kemi ndihmuar shumë. Punonte punë bujqësie, e merrnin dhe komshinjtë për të punuar, punonte për copë buke, merrte ndonjë lekë dhe mbante fëmijët gjallë. Kanë tre fëmijë. Fëmijët kanë qenë në gjumë, në dhomën tjetër. I kishte nxjerrë i vëllai dhe i kishte dërguar tek e ëma. Ai kishte marrë vetë policinë në telefon hajde se unë e bëra këtë gjë.

Sakaq, policia e Kuçovës ka arrestuar autorin e ngjarjes, ndërsa vijon hetimet për zbardhje e plotë të shkaqeve dhe rrethanave.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb