KAVAJË

Zbardhen detaje të reja nga krimi i dyfishtë, i ndodhur këtë mesditë në Kavajë, ku 45-vjeçarja Fëllënxa Shirja u gjet e djegur brenda një makine, ndërsa bashkëshorti i saj 48 vjeç, Bilbil Shirja, u gjet i vetëvarur në një pemë aty pranë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se 48-vjeçari Shirja ka djegur bashkëshorten e tij brenda mjetit dhe më pas është vetëvaruar. Dyshohet se shkak i krimit të dyfishtë ka qenë xhelozia e 48-vjeçarit ndaj gruas.

Mësohet se ata kanë qenë duke udhëtuar me makinë, prej rreth 10 kilometrash, nga fshati Kryemadh në Manskuri, kur janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për shkak të xhelozisë dhe dyshimeve se gruaja e tradhtonte.

Kjo ka bërë që burri t’i vërë flakën makinës, bashkë me gruan brenda, e pak metra më tej të varë veten. Ngjarja tragjike ka ndodhur në një pyll, ndërsa nuk dihet ende nëse gruaja është djegur e gjallë, apo është vrarë më parë nga burri. Çifti mësohet se ka dy fëmijë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb