Detaje të reja mësohen në lidhje me 65-vjeçarin Hasan Mira nga Fullqeti i Klosit, që mbrëmjen e djeshme vendosi t’i japë fund jetës duke u vetëhedhur nga dritjarja e katit të katërt të spitalit “Shefqet Ndroqi” aty ku ishte shtruar e po kurohej për Covid 19.

Mira, vjehrri i deputetit socialist Gjetan Gjetani duket se e ka ndërmarrë aktin në kushte të rënduara psikologjike, por sot gazetarja Aurora Golemi mëson edhe detaje të tjera për këtë pacient.

Burime nga spitali, i kanë konfirmuar se 65-vjeçari ishte kuruar edhe për depresion. Ndonëse e kishte kaluar fazën e rënduar, nuk dihet se si situata ka agravuar duke e çuar drejt aktit të rëndë të vetëflijimit. Ndërsa hetimet për rastin vijojnë, nga vetë spitali “Shefqet Ndroqi” nuk ka ende një reagim.

Po sot Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për dy rastet e vetëvrasjes së pacientëve me Covid 19, për akuzat e shkaktimit të vetëvrasjes dhe mjekimit të pakujdesshëm.
Një ditë më parë “BalkanWeb” publikoi telefonatën e këtij pacienti me fqinjin e tij ku ankohej për ato që kishte parë në spital, telefonatë e cila tregonte për gjendjen e tij të rënduar psikologjike.

Gazetari Enver Doçi zbardhi për “BalkanWeb” bisedën që viktima, njëherësh vjehrri i deputetit socialist Gjetan Gjetani ka bërë një natë më parë me fqinjin e tij. Ai i thotë se ka mundur të sigurojë telefonin përmes rryshfetit dhe se kishte 5 minuta kohë për të folur. Gjatë bisedës shprehet i tronditur nga ajo që ka parë në këtë spital (pa e specifikuar) dhe shton se nuk do shtrohej kurrë nëse do ta dinte se çfarë po ndodhte aty.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb