Gazetarja Dorjana Bezat zbardh për “BalkanWeb” detaje të reja nga vrasja makabre e 49-vjeçarit Jan Prenga, pasi u mor peng dhe u dhunua barbarisht. Në një raportim live për “News24”, gazetarja Bezat tha se për rrëmbimin dhe vrasjen e Prengës kanë vepruar tre grupe kriminale në Vlorë, Shijak dhe Shkodër.

Lidhur me ngjarjen, policia ka shpallur në kërkim edhe pesë persona të tjera, 4 prej të cilëve janë në kërkim policor, ndërsa personi i pestë me inicialet D. R. ndodhet në një burg jashtë Shqipërisë.

Aktualisht, siç raporton gazetarja Bezat, policia ka “blinduar” Shkodrën dhe po kërkon tre prej personave, që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Prengës. Të tre këto grupe kriminale kishin interesa të kokainës dhe së bashku kanë vepruar për t’i bërë presion personave që nuk kanë bërë dorëzimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike.

Një ditë më parë, “BalkanWeb” raportoi se ishte pikërisht vëllai i viktimës, që nuk kishte dorëzuar te këto grupe kriminale sasinë e kokainës prej 300 kg. Ndërkohë, nuk dihet ende asgjë për trupin e pajetë të Prengës, por vijojnë kërkimet në zonën e Shijakut.

Sa i përket pesë personave të arrestuar deri më tani për vrasjen e 49-vjeçarit, gazetarja Bezat tha për “BalkanWeb” se ata kanë kyçur gojën, duke mos dhënë asnjë detaj në polici. Ata kanë thënë se do të flasin në një moment tjetër, kur të dalin para togave të zeza për t’u njohur me masën e sigurisë, ndërsa insistojnë se nuk kanë gisht në krim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb