Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët votoi të martën në favor të ngritjes së akuzave me qëllim shkarkimin e Sekretarit të Sigurisë Alejandro Mayorkas, duke e bërë atë përgjegjës për politika të dobëta të cilat kanë nxitur emigracionin e paligjshëm. Përmes një procesi votimi 214-213, Dhoma e Përfaqësueve miratoi dy nene akuzash për t’u ngritur ndaj Sekretarit Mayorkas, për mos zbatimin e kuadrit ligjor mbi emigracionin, që sipas republikanëve ka nxitur prurjen e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë dhe për deklarim të rremë para Kongresit.

Presidenti Joe Biden e cilësoi votimin një akt antikushtetues kundër një nëpunësi të nderuar publik, për arsye politike. Një numër rekord emigrantësh kanë kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin Meksikë- SHBA. Zoti Mayorkas ka deklaruar se ai nuk ka përgjegjësi për situatën në kufi.

Ekspertë kushtetues dhe madje edhe disa republikanë janë shprehur se hetimi i Dhomës së Përfaqësuesve ndaj zotit Mayorkas nuk ka arritur të provojë “krimet dhe keqpërdorimin e e detyrës” që citon Kushtetuta amerikane si arsye për të ngritur akuzë për shkarkim. Ky lloj procesi ndaj një anëtari të kabinetit qeveritar është i rrallë dhe pothuajse nuk është ushtruar gjatë 150 viteve.

Në vitin 1876, Dhoma e Përfaqësuesve ngriti akuza ndaj sekretarit të Mbrojtjes William Belknap në lidhje me kontratat qeveritare. Ai dha dorëheqje para votimit. Pas votimit të kësaj të marte në Dhomën e Përfaqësuesve, akuzat do të dërgohen në Senat.

Demokratët kanë epërsi në Senat, ata kontrollojnë 51 vende dhe republikanët kanë 49. Ka pak gjasa që demokratët të mbështesin largimin nga detyra të zotit Mayorkas./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb