TIRANE – Gjykata e Apelit liron nga burgu presidentin e klubit “Kastrioti”, Alban Vogli, i cili u arrestua më 10 maj, si i dyshuar për organizimin dhe realizimin e dhunës barbare ndaj gazetarit sportiv, Eduard Ilnica.

Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Alban Voglin, por Apeli e ndryshoi masën ndaj tij në “detyrim paraqitje”. Vendimi është dhënë nga gjyqtarët Marie Qiriazi, Ervin Metalla dhe Fiqirete Mullai.

Presidenti i “Kastriotit” u akuzua për veprën penale të “Plagosjes së rëndë me dashje”, “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Heqjes së paligjshme të lirisë”.

NGJARJA SIPAS POLICISE
Më datë 09.05.2016, rreth orës 22:20, në rrugën ‘Muhamet Gjollesha’ në Tiranë, në afërsi të bar ‘Noel’, është goditur me sende të forta shtetasi E.I., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas kapjen e autorit të kësaj vepre penale, ku u ndalua shtetasi Alban Vogli, 29 vjeç, banues në Krujë, presidenti i ekipit të ‘Kastriotit’.

Sulmi i paprecedentë mendohet të jetë kryer nga disa persona, ndër të cilët edhe Presidenti i Klubit Sportiv të Kastriotit. Ky shtetas ka tentuar të marrë me forcë në mjetin e tij tip ‘VolksWagen’, me targë AA229LB, shtetasin E.I., ku më pas e ka dhunuar, duke e goditur me sende të forta, për arsye të një artikulli që shtetasi E.I. ka publikuar në një gazetë lokale.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: