NGA ARMIR MEHAJ*

PUKE- Dhuna ndaj Grave në veri të Shqipërisë është në përmasa te frikshme por për shkak të mentalitetit dhe frikës nga ana e grave ajo mbahet e fshehtë dhe nuk denoncohet.

Fenomeni u pranua gjatë konferencës kombëtare kundër dhunës ndaj grave që u organizua në Pukë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ambasada Amerikane.

Gjatë kësaj konference të gjithë autoritetet lokale në veri të Shqipërisë sollën raste konkrete të fshehjes së dhunës ndaj grave, ku këta të fundit mbeten peng i mentalitetiti dhe frikës për shkak të kërcënimeve me vdekje nga ana e burrave dhunues.

Organizatorja e kësaj konference, doktoreshë Sajmira Laçi bëri të ditur se duhet shumë punë që gratë kryesisht në zonat rurale të Shqipërisë të çlirohen nga mentalitetit ku ndodhen nën presion e dhunë nga bashkëshortet e tyre. Është për të ardhur keq që dhuna në Shqipëri përgjithësisht dhe në veçanti në veri trajtohet si diçka private, ndërkohë që të dhunuarat pajtohen duke ngushëlluar veten se ky ishte fati i tyre dhe nuk kanë çfarë të bëjnë.

Kryebashkiaku i Pukës dhe autoritete të tjera vendore apeluan që dhuna të mos mbetet brenda katër mureve të shtëpive teksa theksuan se shkak për dhunën janë kryesisht mungesa e të ardhurave ekonomike që janë pasoje e mungesës së vendeve të punës.

Absurditet dhe frike e cilësuan fshehjen e dhunës përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ambasadës Amerikane, Jonida Haxhiu dhe Iva Sinani të cilat  inkurajuan grat shqiptare që të mos heshtnin përball dhunës që ushtrohet mbi ta.

Fshehja e dhunës vjen dhe si pasoje e punës së dobët të strukturave policore pasi statistikat në rrethin e Pukës flasin vetëm për 14 raste të trajtuara këtë vit dhe këto janë raste të cilat janë denoncuar nga vetë të dhunuarat dhe asnjë rast i konstatuar apo zbuluar  nga uniformat blu, çfarë ka sjell dhe fshehjen e dhunës si një fenomen të përgjithshëm për të cilin nuk frikësohet nga pasojat e ligjit askush.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: