Nga: ERJON SKENDAJ*

TIRANE- Virusi vrasës HIV AIDS ka shkaktuar më pak viktima në Shqipëri gjatë vitit 2015. Krahasuar me një vit më parë, statistikat zyrtare flasin për 9 viktima nga AIDS, ndërkohë që në vitin 2014 humbën 11 jetë. Ndërsa numri i rasteve të reja me HIV për 2015 është 87 persona mes të cilëve edhe një fëmijë nën 15 vjeç.

Bazuar në të dhënat aktuale, Shqipëria vijon të mbetet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV, që përllogaritet në 0.03%. Numri i ulët i personave që testohen vullnetarisht ka sjellë diagnostikimin e vonshëm të prekjes nga virusi që reflektohet në afër 50 përqind të rasteve të diagnostikuara gjatë 2015.

Prej tyre 6 persona kanë ndërruar jetë brenda një viti nga momenti i zbulimit të HIV AIDS-it. Sipas mjekëve, kur sëmundja është kapur në fazën fundore nuk ka asnjë mundësi trajtimi me medikamente, për më tepër ekziston rreziku që një pjesë e këtyre pacientëve mund të kenë qenë të infektuar prej vitesh pa shfaqur simptoma dhe pa dashje te kenë infektuar partnerët e tyre gjatë një periudhe kohe relativisht të gjatë.

Raporti i ISHP dëshmon se rruga seksuale e transmetimit të virusit HIV vazhdon të predominojë në vendin tonë, e cila konstatohet në 94% të rasteve, nga të cilët 11.6% e të prekurve me HIV AIDS përmes rrugës homo dhe biseksuale, ndërsa 82.3 përqind e transmetimit përmes rrugës heteroseksuale dhe vetëm në 3.6% të rasteve sëmundja është transmetuar nga nëna tek fëmija.

Në 1.4% të rasteve përhapja e virusit ka ardhur nëpërmjet transfuzioneve të gjakut ose nënprodukteve të tij të infektura dhe vetëm 0.6% e rasteve i përkasin grupit të përdoruesve të drogave me injektim.

Krahasuar me periudhën 1993 – 2004, dhjetëvjeçari i fundit ka shënuar rritje të numrit të të prekurve nga HIV AIDS deri në 5 më të lartë, sidomos në zona të mëdha urbane si, Shkodra, Elbasani, Vlora por edhe në Delvinë, Sarandë, Mirditë.

Në harkun kohor të 22 viteve nga diagnostikimi i rastit të parë me HIV në vitin 1993, në Shqipëri janë regjistruar 870 raste të raportuara me HIV/AIDS, për shkak të të cilit 161 pacientë kanë ndërruar jetë dhe ku 13 viktima, janë regjistruar vetëm në vitin 2006.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: