Më 9 maj të çdo viti, shtetet anëtare të BE-së festojnë Ditën e Evropës. Në përvjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Shumanit në vitin 1950, kjo është një ditë reflektimi mbi bashkëpunimin, prosperitetin dhe paqen e arritur nëpërmjet projektit evropian.

Më 9 maj 1950, ministri i Jashtëm francez Robert Schuman mbajti një fjalim historik dhe një plan për një bashkëpunim më të thellë në Evropë. E njohur si Deklarata e Shumanit, ajo hapi rrugën për një epokë të re paqeje, integrimi dhe bashkëpunimi në të gjithë kontinentin, duke hedhur themelet për Bashkimin Evropian siç e njohim sot.

“Në botën e sotme në ndryshim dhe sfiduese, bashkimi ynë duhet të jetë gati të qëndrojë i fortë dhe i pavarur. Kjo do të thotë të bashkohemi për të forcuar sigurinë tonë, për të nxitur prosperitetin dhe për të mbrojtur lirinë tonë për të vendosur se në çfarë lloj shoqërie dhe demokracie duam të jetojmë”, shkruhet në faqen online të BE.

Këtë vit, Dita e Evropës sjell festime të veçanta, pasi jo vetëm shënohen 40 vjet që kur Portugalia dhe Spanja iu bashkuan BE-së, por kremtohet edhe 40-vjetori i festimeve të para zyrtare të Ditës së Evropës dhe përdorimit publik të flamurit dhe himnit të BE-së.

Për të festuar Ditën e Evropës, institucionet në Bruksel dhe në të gjithë BE-në bënë ftesë publike të vizitohen mjediset e tyre dhe të eksplorohen disa nga hapësirat më të famshme të unionit.

Dita e Evropës shihet si një shans për ta njohur Bashkimin Evropian dhe për të festuar bashkësinë e vlerave që përfaqëson. Ky rast i veçantë është gjithashtu një mundësi për t’u lidhur me qytetarët dhe për të treguar se si BE-ja po punon për të mbrojtur dhe krijuar mundësi për njerëzit dhe për të promovuar partneritete në nivel global.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: