TIRANË

Një grup nxënësish të shkollës 9 vjeçare “Jeronim de Rada” në Tiranë, vizituan nga afër, të enjten, Gjykatën e Lartë të Republikës së Shqipërisë dhe ndoqën një Orë të Hapur diskutimi me gjyqtarët të cilët ushtrojnë detyrën e ndihmës magjistratit në Gjykatën e Lartë, për të diskutuar mbi gjithçka kanë interes mbi drejtësinë, gjyqësorin, ndarjen e pushteteve, e veçanërisht mbi Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur, i cili përmban rregullime të veçanta që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të miturve, procedurën e hetimit, ndjekjen penale, procesin gjyqësor, ekzekutimin e vendimit të dënimit penal, rehabilitimin ose të çdo mase tjetër për të miturin.

Ata improvizuan një seancë gjyqësore mbi një rast gjyqësor penal, ku u ndanë në rolin e palëve në proces, si atë të gjyqtarit, prokurorit dhe avokatit.

Gjykata e Lartë mendon dhe i kushton rëndësi faktit se, përfshirja e paketave informuese dhe programeve rreth edukimit ligjor në shkollë, është një mekanizëm i cili synon të ulë ndjeshëm sjelljet negative tek të rinjtë duke parandaluar përfshirjen e tyre në aktivitete kriminale. Ky proces ndikon në përballjen e të rinjve me fenomenet sociale të përditshme, si përdorimi i lëndëve narkotike, përndjekjes së bashkëmoshatarëve, dhunës, vjedhjes, etj..

“Dita e Hapur në Gjykatën e Lartë”, është konceptuar si një ditë dialogu mes nxënësve të të gjitha moshave, studentëve dhe gjyqtarëve. Gjatë kësaj dite gjyqtarët i përgjigjen me detaje çështjeve apo pyetjeve të shtruara nga të ftuarit, bëjnë një panoramë të sistemit gjyqësor në Shqipëri dhe testojnë njohuritë e përgjithshme të nxënësve mbi sistemin sot dhe gjykatat.

Gjithashtu, nxënësve i’u mundësua edhe një vizitë nëpër ambientet e ndryshme të kësaj gjykate.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb