FIER

Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Fier në bashkëpunim me kompaninë e prodhimit të naftës, Bankers Petroleum Albania ndërmorrën iniciativën për të pastruar bregdetin e Semanit.

Punonjës të Mjedisit dhe Bankers mblodhën mbetjet në bregdet me synimin jo vetëm për të mbajtuar një mjedis të pastër por edhe për të mundësuar nisjen e sezonit turistik në një hapësirë të pastër. Drejtori Rajonal i Mjedisit në Fier, Arben Voja tha se iniciativa të tilla janë të shpeshta dhe në fokus të aktivitetit të këtij institucioni.

Për Bankers Petroleum Albania nisma të tilla janë në vazhdën e një sërë të tjerave të ndërmarra më parë. Menaxheri i Burimeve Njerëzore dhe Administratës thekson se për Bankers mjedisi është në themel të operacioneve të përditshme naftë-nxjerrëve të kompanisë.

“Si një kompani ndërkombëtare e prodhimit të naftës ne nuk jemi të fokusuar vetëm në operacionet hidrokarbure por kujdesemi edhe për mjedisin e komunitetit tonë. Sot është Dita e Mjedisit prandaj ne kemi bashkëpunuar me Drejtorinë Rajonale të Mjedisit në Fier për të pastruar bregdetin e Semanit”- tha Menaxheri i Burimeve Njerëzore dhe Administratës, Ivan – Yifan Jin.

Kompania naftënxjerrëse çdo vit organizon aktivitete për pastrimin e zonave të ndryshme në qarkun e Fierit, kryesisht në ato turistike.

“Ne mendojmë se mbrojtja e mjedisit është shumë e rëndësishme dhe ne i kushtojmë rëndësi jo vetëm në aktivitete të tilla por edhe gjatë operacioneve tona të përditshme në fushën e Patos-Marinzës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: