TEPELENË- Sot kur përkujtohet Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur, zëvendëskryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert ilton, apeloi për ndjeshmëri në veprimtarinë e organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në ish-kampin e Tepelenës.

Wilton apeloi që kjo çështje të mos lihet në harresë, pasi sipas tij janë 6 mijë njerëz pa varre në Shqipëri. “Kemi detyrimin të kujtojmë rreth 6 000 njerëz të varrosur në varre pa emër, në mbarë Shqipërinë, gjatë periudhës komuniste. Është e rëndësishme që të gjenden këta persona të zhdukur dhe të përpiqemi të zbulojmë të vërtetën e plotë, si për hir të familjarëve të tyre, ashtu edhe për shoqërinë në tërësi”, tha Wilton.

Sipas Wilton, “Përballja me të kaluarën komuniste shërben për të garantuar të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Kjo është një çështje sa shoqërore, aq edhe thellësisht personale, jo vetëm për të mbijetuarit e kampeve si ky i Tepelenës dhe për familjarët e të zhdukurve, por për të gjithë shqiptarët,” tha ai.

Në mjediset e ish-kampit, ku u internuan mbi 3 mijë familjarë të kundërshtarëve politikë të regjimit, u vendos një pllakë përkujtimore në nderim të personave të zhdukur gjatë periudhës së regjimit komunist.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: