Nga Daniel Verdú
Disa vite më parë, në qendër të Napolit, një plumb qorr i ardhur nga një përleshje me armë midis 2 klaneve rivale goditi një vajzë 4-vjeçare. Ajo ishte ulur në ballkonin e shtëpisë së bashku me gjyshen e saj. Historia e Noemit, vajzës që përfundoi në koma për shkak të dëmtimeve të rënda të mushkërive të shkaktuara nga plumbi, bëri xhiron e botës.

Antonio Piccirillo e pa lajmin në TV. Nuk dinte sesi ta kanalizonte gjithë shqetësimin që ndjente, të cilin e kishte grumbulluar gjatë gjithë jetës duke qëndruar gojëkyçur, siç njihet kodi i heshtjes në Itali. Por të nesërmen, 5 maj 2019, ai vendosi të marrë pjesë në një demonstratë publike kundër organizatës kriminale Camorra, së bashku me 3 shokë.

Ai nuk kishte asnjë plan. Vetëm donte të solidarizohej me njerëzit që protestonin. Në një moment gjatë tubimit, ai dëgjoi një nga folësit të thoshte se të gjithë djemtë e mafiozëve ishin njëlloj. Sapo e dëgjoi këtë kërkoi megafonin. “Jam Antonio Piccirillo, djali i Rosario Piccirillo, që në jetën e tij bëri shumë gabime, duke qenë anëtar i Camorra-s. Duajini gjithmonë prindërit tuaj, por shkëputuni nga stili i tyre i jetesës, sepse kjo nuk të çon askund dhe shkakton vetëm vuajtje. Jeta e një mafiozi ka qenë gjithmonë e tmerrshme. Sot ashtu si 150 vjet më parë”, deklaroi.

Turma ngriu. Piccirillo – bosi i klanit që sundoi për dekada lagjen Torretta në Napoli – ishte një legjendë në botën e krimit të organizuar. Familja e tij e kishte siguruar jetesën në vitet 1960 duke kontrabanduar cigare. Ata kishin jetuar gjithmonë kështu, pa konflikte të mëdha.

Kjo derisa në fundin të viteve 1970 Raffaelle Cutolo – udhëheqësi historik i Camorra-s – krijoi Nuova Camorra Organizzata (Camorra e re e organizuar). Ky sistem imponoi një strukturë metodike dhe hierarkike mbi territorin, me idenë që mund të konkurronte me Costa Nostra-n më të fuqishme më bazë në Siçili.

Cutolo donte një pjesë të gjithçkaje. Ai numëronte çdo kuti duhani që lëvizte në Napoli. Ishte një lëvizje e gabuar. Piccirillo dhe shumë të tjerë nuk mund ta pranonin këtë. Ata hynë në një marrëveshje me familjet e lagjes Secondigliano dhe u bënë plotësisht pjesë e Camorras për të nisur një luftë të pamëshirshme.

Babai i Antonios, i njohur me nofkën Biondi ndodhet sot në burg. Ai është përfaqësues i asaj historie të gjatë të krimit të organizuar, i një brezi mafiozësh që tani thuajse të zhdukur. Elegantë, simpatikë, gjithmonë të veshur mirë dhe me sjellje të matura. Prototipi i mafiozit të shkollës së vjetër.

Ai hyri dhe doli nga burgu pas disa vitesh, duke mos tradhtuar askënd, dhe duke e ruajtur gjithmonë imazhin e tij. Gjëja e fundit që pret nga këtë lloj familjesh, ku heshtja është ligj, është që fëmija i familjes ta denoncojë publikisht këtë mënyrë jetese dhe ta bëjë këtë me megafon në dorë.

Antonio është 27 vjeç, është biond si babai i tij dhe më sy jeshil. Ai flet për “EL PAÍS” mesditën e së martës, i ulur në një tavolinë në një tavernë të vogël në tregun Santa Lucía. Antonio u rrit në një familje të Camorra-s. Dhe kjo thotë ai, nënkupton pasjen e shumë pak kujtimeve.

“Babai im kaloi shumë vite brenda dhe jashtë burgut. Ne shiheshim për periudha të shkurtra kohore. Unë nuk kam thuajse asnjë foto me të. Ishte një fëmijëri me shumë mungesa. Por gjithçka dukej normale. Ne nuk ishim një familje tipike e zhurmshme. Ne fëmijëve na thoshin gjithë ditën gënjeshtra për të fshehur atë që po ndodhte.

Nënat na gënjenin që të mos vuanim. Mamaja më thoshte se babai im ishte arkitekt, avokat, dhe më vonë këto gënjeshtra ua thosha miqve dhe të njohurve. Historia ishte e ngjashme me atë të dëgjuar nga shumë fëmijë të tjerë të bosëve të burgosur: babai është një ndërtues; dhe burgu – ku duhet të shkosh herë pas here për të biseduar në një dhomë të vogël, ulur mbi karrige prej hekuri – ishte një nga ndërtesat ku ai punonte.

Kështu vazhdoi për shumë kohë. Derisa, një ditë, dikush ia hapi sytë. Mikesha e tij më e mirë – vajza e një familjeje kundërshtare me të tijën – i solli Antonios një gazetë. Në kopertinë u shfaq babai i tij dhe fjalët “gjobë”, “zhvatje” dhe “burg”. “Kjo është ajo që bën babai yt”- i tha ajo.

Në fillim ishte e vështirë. Ai qau dhe nuk kuptoi asgjë. Por shumë shpejt bëri lidhjen e gjërave. “Në shtëpi kishte gjithmonë njerëz që hynin dhe dilnin. Ata fshiheshin kur në derë trokiste policia, sepse babai im ishte në arrest shtëpiak dhe nuk duhej të priste vizitorë”- kujton ai.

Pak nga pak u mësua me këtë realitet. Madje filloi t’i pëlqente. “Mafiozët e shkollës së vjetër, si babai im, shkaktuan njëfarë magjepsjeje. Ishin vërtet të këqij, por shumë karizmatikë. Gjithmonë të veshur mirë, shumë të sjellshëm. Dinë të flasin, të ecin… Ishin shumë të vëmendshëm ndaj gjithçkaje. Dhe unë u rrita me këtë ide mbi babain tim.

Përveç kësaj, nuk e kam pasur asnjëherë një ide të qartë se përse disa njerëz më trajtuan kaq mirë këtu. Unë ka qenë shumë i sjellshëm dhe i respektueshëm… Por gjithmonë më dukej sikur meritoja më shumë se sa miqtë e mi. E shihja që po të thyeja me top xhamat e një dritareje apo një tezge në treg, pronari nuk më qortonte mua por shokët e mi. Dhe kjo u bëri përshtypje atyre. Shëtitja nëpër lagje me djalin e bosit kishte privilegjet e veta”- shprehet ai me tej.

Ideja e privilegjimit të origjinës e dominon eposin e historisë së mafies në Itali. Serialet televizive si “Gomorrah” janë simbol i mistikës së mafies në Itali dhe i lidhjeve familjare me to. Për të mos përmendur makinat, rrobat e shtrenjta, tatuazhet, rrjetet sekrete. Kjo vlen për Napolin, por edhe në Sicili apo Kalabri, ku lidhjet e gjakut janë edhe më të forta.

Në fillim gati të gjithë e pëlqejnë këtë mënyrë jetese. Por vendimi i Antonios ka treguar se ka edhe një rrugë tjetër. Ashtu si Giosuè – djali i madh i një prej klaneve mafioze Ndrangheta në komunën kalabreze Rosarno – edhe ai është distancua nga familja e tij mafioze.

Pak vite më parë, një gjyqtar filloi të zbatojë një masë të diskutueshme për t’i mbajtur larg prindërve të tyre fëmijët e mafiozëve. Roberto Di Bella – kreu i gjykatës për të mitur në Reggio Calabria – filloi t’u hiqte kujdestarinë e fëmijëve një numri të madh familjesh nga Ndrangheta.

Ishte një masë e ashpër dhe shumë e diskutueshme por që dha rezultate. Antonio nuk kishte nevojë që dikush ta ndante nga familja. Ai thjesht u lodh nga gjithçka. Madje ai u fokusua tek teatri, muzika, deti, letërsia. Por ditën që ngriti zërin në shesh, rreth tij ra heshtja.

Në lagjen ku ishte lindur dhje rritur nisi të kishte probleme. Fyerje, kërcënime, të pështyra. Ra në depresion, duke përjetuar çrregullime obsesive. Një muaj pas demonstratës, shkoi të takonte të atin në burgun e sigurisë maksimale ku edhe ndodhet.

“Ai më tha: Nëse mendon se më ke tradhtuar apo lënduar, e ke gabim. Jam në merak për ty. Kam frikë se nuk do ta përballosh dot këtë presion”. Shumë njerëz besuan se unë po pendohesha dhe po bashkëpunoja me drejtësinë. Ata e vendosën foton time në gazetë pranë Giuseppe Misso, një djalë që vrau shumë njerëz dhe që në fund u pendua. “Për çfarë duhet të pendohem? Vetëm që nuk kam folur më herët”- thekson ai. /“El Pais” – Bota.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb