Administratori i Përgjithshëm i Konfindustria, Gjergj Buxhuku i ftuar në studion e emisionit ‘Frontline’ në News24 ka folur në lidhje me çështjen e amnistisë fiskale, ndërsa ngriti pyetjen se si do të futen në vend paratë nëse nuk do ketë një miratim nga vendet partnere evropiane.

Ai tha më ironi nëse paratë do sillen me ‘Toyota Yaris apo me kriptomonedha’, pasi në kufijtë e vendit nuk mund të kalosh më shumë se 10 mijë euro pa i deklaruar.

Buxhuku shtoi më tej se amnistia fiskale është në fakt amnisti penale dhe se amnisti fiskale ndodh çdo ditë me ndërtimet që bëhen, investimet që bëhen, dhe nuk futet njeri në detaje për të gjetur burimin e parave

“Problemi është se nëse nuk ka miratim nga këto vende, si do bëhet transporti i parave, këto 10 mijë euro vlejnë limit për kufirin shqiptar, jashtë vendit nuk ka kufi. Me ça do sillen, me Toyota Yaris, apo me kriptomonedha? Nëse merret një vendim pa miratimin është e pamundur që të realizohet. Këto janë problematika të mëdha, BE e ka thënë fjalën e vet së bashku me SHBA.

Vendet kanë të drejtën e tyre për kundërshtimin e amnistisë pasi e dinë që ka problematika në sigurinë e kësaj vepre dhe në institucionet e vendit. Ne jemi në listën gri të MoneyWal, dhe vendosemi në pikëpyetje për gjithë marrëveshjet që kemi dhe duam të bëjmë. Përveç faktit që asnjë shtet nuk dëshiron që sasi të mëdha parash të largohen nga vendi. Çdo krahasim që bëhet me vendet e BE është i pavlefshëm sepse të marrësh përsipër një rrezik të tillë pa patur institucione të kontrollit, një sistem demokratik të instaluar, nuk krahasohen institucionet shqiptare me ato italiane për shembull.

Borxhi publik është shumë i madh, logjika është që kësaj radhe interesi më i madh i qeverisë në këtë nisëm është jo vetëm futja e parave në sistem, por është parësore nxitimi ose kërkesa e brendshme që të merret një garanci penale për flukset e parave që janë në qarkullim përbrenda. Amnisti fiskale ndodh çdo ditë me ndërtimet që bëhen, investimet që bëhen, dhe nuk futet njeri në detaje për të gjetur burimin e parave. Kur proceset e faljes ndodhin pa zhurmë lind pyetja pse duhet bërë një ligj. Interesi kryesor është të sigurohet një garanci penale, se çfarë ndodh nesër duhet të kenë një kamerdare shpëtimi.

Është në fakt amnisti penale, këtë e kanë pranuar në projekt ligj. Zyrtarët janë përjashtuar për pjesë të fasadës sepse ata kuptohet se nuk mund të shfaqen vetë për të pastruar paratë e tyre, është si të duash të mbulosh Everestin me një çarçaf. Në parim nëse do kishim institucione serioze, rreziku tjetër që paraqitet është rreziku i prishjes së konkurrencës në treg. Në amnistitë fiskale në vendet e tjera jo më pak se 30% paguhen. Duhet të ishte paraqitur cilat janë projektet për fluksin e parave. Ndërkohë që në vendet e tjera penalitetet janë të larta, kusht tjetër është që nuk mund t’i fusësh paratë në çdo lloj biznesi, gjë që mungon. Ajo që është më e mundshme është që të futesh në kontrata me shtetin, sposton bizneset e tjera dhe në vend që të paguash ke fituar 100%.

Në kushte normale një falje fiskale, dhe është marrë miratimi i vendeve partnere dhe është siguruar fushat ku do investohen këto para do ishte një përfitim, por këtu janë vetëm 2 faqe projektligj dhe u tregon ndërkombëtarëve se jemi seriozë për këtë çështje”, tha Buxhuku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: