Sali Berisha ka përmbyllur foltoren e qytetit të Librazhdit me thirrjen se të dielën do të zhvillohet diskutimi me forumin e gruas në Tiranë. Ai ka thënë se qëllimi i kësaj nisme është të rikthejë PD në vlerat e dikurshme e ta kthejë atë në një parti konservatore.

Gjithashtu, ai e cilësoi Kuvendin e thirrur nga kryetari Lulzim Basha si anti-Kuvend dhe histori turpi që nuk është parë gjatë pluralizmit shqiptar.

“Kuvendi i 11 dhjetorit do të jetë kuvendi i rithemelimit të PD. Ky është vullneti i demokratëve që mblidhen me qëllimin fisnik të rikthimit të PD në një forcë vigane, konservatore opozitare në Shqipëri. Për PD, të përndjekurit politikë, trashëgimia e tyre, janë dhe do të jenë burim i pa shtershëm frymëzimi dhe force. Një trashëgimi e vyer që duhet të na frymëzojë ne, brezat që do të vijnë. Sa herë të lexosh, Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, të ndjekin, nuk të ndahen vargjet e tyre. Kryevepra të vërteta të letrave shqipe.

PD do i rikthehet vlerave të saj dhe pa diskutim familja, mbështetja, vlerësimi i saj do të jenë epiqendër i programit të partisë, ky është një kusht për një shoqëri të lirë, të bazuar në vlera, por ky është një kusht për tu rritur ekonomikisht. Ata të cilët sot, si mafie e Geroge Sorosit, nëpërkëmbin me ligje ateiste familjen shqiptare do të përballen shumë shpejt me PD, pasi ne demokratët do të votojmë me këmbë, duar, protestat tona e më pas me votën tonë të lirë. Në të ardhmen, politika shumë të fuqishme do të ndërtohen në mënyrë që të rinjtë të bëhen promotorë të zhvillimit të këtij vendi. Anti-Kuvendi është një histori turpi, e cila nuk ekziston në analat e pluralizmit shqiptar”, tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: