VLORË- Policia e Vlorës ka parandaluar një rast të trafikimit të lëndëve narkotike nga Shqipëria drejt Italisë duke bllokuar 808 kg lëndë narkotike, një gomone 8 metër të gjatë me dy motorë të zi “Mercury” si dhe një furgon. Ndërkohë është vënë në pranga një 48-vjeçar.

Pasditen e djeshme rreth orës 18:00, Policia e Vlorës, në baze të informacioneve të marra në rruge operative në drejtim të trafikimit të lëndëve narkotike, ka bëre të mundur realizimin e një operacioni në zonën e Radhimës ku është kapur në flagrancë në vendin e quajtur “Cekodhimë” në breg të detit, një automjet tip “Furgon-benz” me targë AA619AJ.

Brenda automjetit ndodhej një sasi e konsiderueshme me lëndë narkotike “Cannabis”.

Gjithashtu, në një distancë të afërt me automjetin është parë një gomone e cila po largohej me shpejtësi në momentin që po afroheshin strukturat e Policisë.

Menjëherë, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë Kufitare dhe të Strukturave të Policisë Italiane Guarda di Finanza, pasi janë organizuar në të gjithë territorin tokësor dhe detar, në një distancë prej 1 km larg nga furgoni, kanë gjetur të braktisur një mjet lundrues “Gomone” me mbishkrimin “Twentysix”, ku brenda së cilës janë konstatuar 5 bidonë me Benzinë.

Gjithashtu, nga kontrolli i bërë në afërsi të gomones pranë vendit të quajtur “Bar-restorant Gjimaraj”, janë gjetur 7 çanta, të hedhura në bregun e detit, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të llojit “Cannabis”.

Në total, lënda narkotike ka një peshë prej 808 kg, dhe ishte e ndarë në 40 pako të mëdha, të mbështjella me letër plastike të tejdukshme, ku brenda të cilave ndodheshin pako të vogla të mbështjella me natriban ngjyrë kafe.

Në kryerjen e veprimeve hetimore procedurale është bërë e mundur identifikimi dhe kapja në flagrancë e pronarit të automjetit, shtetasin Alban Koshi, 48 vjeç, banues në Vlorë.

Policia ka shpallur në kërkim pronarin e mjetit lundrues, shtetasin Robert Myftari, 42 vjeç, banues në Vlorë.

Policia ka sekuestruar materialet e përmendura dhe po kryen hetimet për zbulimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafikimi të lëndës narkotike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: