Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj është shprehur se PD duhet t’i marrë në konsideratë ato që Mark Marku shkroi në dorëheqjen e tij.

I ftuar në “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Gjekmarkaj tha se Mark Marku nuk i ka kërkuar asnjëherë liderit demokrat përjashtimin e ish-kryeministrit, por i ka kërkuar që të shprehë lidership dhe ta fusë PD-në në shinat e një partie demokratike europiane.

“Unë e kam thënë që Mark Marku është një nga personalitet dhe njerëzit më të ndershëm që njoh. Një pjesë e gjërave që ai ka thënë duhen marrë seriozisht në konsideratë nga PD dhe Lulzim Basha që PD të bëhet një parti qytetare që të përfshihen të gjithë. Gjërat që ai ka shkruar duhen marrë në konsideratë me patjetër mendoj unë. Mark Marku nuk i ka kërkuar të përjashtojë Sali Berishën, thjesht i ka kërkuar të shprehë lidership modern dhe ta fusë PD-në në shinat e një partie demokratike europiane. Vendimet zoti Basha i merr vetë dhe nuk ndikohet nga mendimet e të tjerëve”- tha ai.

Lidhur me aktin e grisjes së fletëve të votimit për kryetaren e Kuvendit, Gjekmarkaj tha se ishte një akt përbuzës ndaj të gjithë atyre deputetëve që janë zgjedhur me ndihmën e strukturave kriminale dhe se nuk kishte të bënte me zonjën Nikolla.

“Ne nuk votuan, ne grisëm fletët e votimit si një akt përbuzjes për të gjithë ata deputetë të zgjedhur nga strukturat kriminale. Ne nuk e harrojmë masakrën e 25 prillit. Por ne jemi në parlament si  denoncues, me shpirt të fortë luftarak për ta ngritur PD në nivelin për të qeverisur vendin me mbështetjen e  shqiptarëve duke bërë të mundur rrëzimin e qeverisë së Edi Ramës”- tha ai.

Në fund i pyetur për marrëdhenien me LSI, ai tha se  ajo nuk është një shtojcë e PD por, e pavaruar nga PD. Ai u shpreh se pret bashkëpunim dhe koordinim të çdo strukture opozitare pasi Shqipëria në këto momente ka nevojë për një front opozitar ndaj këtij regjimi.

“LSI nuk është shtojcë e PD, është e pavarur nga ne. Është zgjedhje e tyre se si do të funksionojnë në parlament. Në nivel personal unë nuk e di pasi sapo jam zgjedhur. Kam pritshmëri të jetë një koordinim të çdo strukture opozitare, pasi mendoj se sot Shqipëria ka nevojë për një front opozitar. Nuk mund t’i vihet opozitës përgjegjësia e dështimeve. Mendoj se shoqëria ka dështimet e veta. Nëse shoqëria nuk reagon që disa gjëra të ndreqen, është e vështirë që të vijë ndryshimi në Shqipëri. Opozita ka përgjegjësinë të jetë më frymëzuese, por duhet ushqyer me ide dhe duhet mbështetur kundër një regjimi që po merr trajtat më shëmtuara”- tha ai.

 

(BalkanWeb)

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: