Drejtori i Divizionit të Shpërndarjes në OSHEE, Petraq Lika, deklaroi në rubrikën “Opinion”, në “News24”, se situata e rëndë e krijuar nga tërmetet e forta, shoqëruar menjëherë me përmbytje masive, i ka shkaktuar këtij institucioni një dëm prej 110 milionë lekë të reja.

Sipas tij, vendi kaloi një situatë të jashtëzakonshme, që nuk ka ndodhur të paktën në 33 vite, që ai është në sistem.

“Është e jashtëzakonshme, në sistem raste të tilla janë të pakta. Nëse në 33 vite që kam në sistem, mund të kemi dy-tre raste të tilla, me tërmete dhe përmbytje. Ne kemi bërë një vlerësim të situatës, OSHE ka një dëm prej 110 milionë lekë të reja nga kjo situatë”, deklaroi Lika.

Më tej, ai sqaroi edhe banorët, të cilët janë ankuar sot për ndërprerje të energjisë elektrike, duke thënë se një gjë e tillë bëhet në raste përmbytjesh për të siguruar jetën e tyre.

“Është normale që në raste përmbytjesh ne bëjmë stakim të energjisë elektrike. Bëhen për sigurinë e jetës së komunitetit, për sigurinë e impianteve. Në çdo rajon ne kemi shtabin përkatës.
Përveç një linje furnizimi, kemi dhe linja të tjera që vijnë në ndihmë në rast defektesh, por që kanë më pak kapacitet.

I tërë rrjeti i energjisë u atakua, fillimisht nga tërmeti. Pas tërmetit ne e rikthyem gjendjen normale. Ishin rreth 14 mijë abonentë, në 12 linja, që u atakuan atë ditën e tërmetit. Kryesisht ishin në Durrës, Tiranë, ku u morën dhe masa sigurie. Ky është rregulli numër një që duhet të operohet”, tha Lika.

Kur e keni stakuar energjinë elektrike?
Në 04:00 u atakua energjia në 130 mijë abonentë. Ashtu siç mbushen shtëpitë me ujë, ashtu mbushen dhe kabinat. Ne kryejmë inspektime, monitorime, dhe rikthim të gjendjes në situatë normale.

Ku janë evidentuar dëmet?
Ka pas Tirana dhe Durrës, kryesisht kabina shtyllore, ku nga tërmeti pati rënie të shtyllave, dëmtime të transformatorëve.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb